Grabovci: Ëndrrat e Beqirit vonë do t’i realizohen

Beqiri në shënimin e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Shqiptare Demokristiane, deklaroi se ky vend nuk meriton të qeveriset ashtu siç po qeveriset tani. LDK sipas tij së bashku me partitë e djathta, do të bëjë që të ngadhënjejë drita karshi errësirës, e mira karshi të keqes dhe perspektiva, karshi kësaj që po i përngjan të kaluarës së hidhur, një shteti policor.
Të majtit sipas tij duhet të shkojnë atje ku e meritojnë, disa në shtëpi e disa edhe në burg, vetëm se këtë gjë duhet ta bëjnë institucionet.
“Ky vend e meriton që të qeveriset ndryshe. Ky vend nuk e meriton kështu siç qeveriset aktualisht dhe për këtë arsye, realisht se partner të përhershëm që kemi qenë gjatë këtij rrugëtimi, dhe unë besoj thellë se kjo do të ndodh dhe në zgjedhjet e ardhshme. LDK i ka bërë një ofertë, kemi pasur nderin të takohemi me kryetarin Berisha dhe me të gjithë ata të cilët janë të qendrës së djathtë, ose së paku anojnë ka e djathta. Këta të majtit dihet ku duhet me i qu, ku e meritojnë me i qu në shtëpi e disa edhe në burg. Por atë duhet ta bëjnë institucionet”, tha Beqiri.
Por Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së i rekomandoi Ismet Beqirit, që mos jetojë me ëndrra dhe të mos përzihet në punën e drejtësisë.
Ai i bëri thirrje Beqirit, që të shkarkohet nga këto ngarkesa, sepse nuk është ai që do ta qojë dikë në burg, apo ta nxjerrë nga burgu.
“Unë i bëj thirrje zotit Beqiri, se ka kaluar përgjithmonë, ka përendu koha e distancimeve, vlerësimeve, burgosjeve, ndjekjeve. Çdo qytetar i Kosovës pa marr parasysh, i cili bien ndesh me ligjin, ai një ditë herët a vonë do të jap llogari para ligjit. Ligji, organet gjyqësore, janë ato që vlerësojnë se kush , ku do ta ketë vendin, a do të jetë në burg apo ku, zoti Beqiri apo zoti Grabovci, apo kushdo qoftë tjetër. Andaj ne nuk bëjmë diferencime, sepse kemi vuajtur shumë nga diferencimet politike. Unë i bëj thirrje mikut tim të nderuar zotit Beqiri që të shkarkohet nga ato ngarkesa, sepse nuk është as Beqiri dhe as Grabovci dhe askush, që do ta qoj dikë në burg, apo do ta lirojë prej burgut, por ne kemi ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe nuk kem të drejtë të diktojmë dhe tu përzihemi në punët e gjyqësorit”, tha ai.
Grabovci tashmë i di synimet dhe ëndrrat e Beqirit për ta ardhur në pushtet, por se ato ëndrra, sipas Grabovcit do të zgjasin shumë, pasi që PDK është shumë stabile, e fuqishme dhe e konsoliduar.
Grabovci pohoi se qëndrimi në pushtet i PDK-së, do të jetë jetëgjatë dhe qëndrimi në opozitë dhe ëndrrat e bukura të zotit Beqiri do të zgjasin shumë.
“Unë i rekomandoj kolegut tim të nderuar zotit Beqiri, të mos jetojë me ëndrra. Këto që sheh vërtetë janë ëndrra të bukura të zotit Beqiri. E djathta dhe e majta gjithsecili mund të fletë për vetveten dhe ne na klasifikon vet puna jonë veprimet tona, se kush është i djathtë, kush i majtë dhe kush i qendrës. Unë nuk dua të flas nuk kam të drejtë të flasë për LDK-në dhe të jap vlerësime për LDK-në, por për PDK-në është shumë e qartë se veprimet e saj e kanë treguar profilin e PDK-së dhe do të ecim përpara.”, tha Grabovci.
Edhe analisti politik Behlul Beqaj, deklaratat e Beqirit i sheh si deklaratat që denigrojnë partinë e tij.
Sipas tij, është detyrë e opozitës që karshi propozimeve më të mira, rreth mënyrës së qeverisjes dhe menaxhimit me të gjitha hallkat e pushtetit, të përgatit edhe mundësinë e largimit nga pushteti, koalicionet qeverisëse.
Por sipas tij duket tendencioze dhe e pa ligjshme, kur ata japin deklarata, se janë të thirrur për ta dërguar dikë në burg dhe se me këtë çështje, nuk duhet të merren partitë, qofshin pozitë apo opozitë, pasi që kjo është ndërhyrje në punën e Gjyqësorit.
“Me këtë çështje nuk duhet të merren partitë, pavarësisht janë pozitë apo opozitë mëqe ato i respektojnë autonominë e pushteteve të pavarura. në këtë rast kjo do të thotë se një parti opozitare ndërhyn direkt në punët që i takojnë gjyqësorit. Në këtë kuptim konsideroj që deklarata e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së nuk ka vend, përkundrazi ajo duhet të vlerësohet si një deklaratë e cila e denigron vet partinë, autoritetin e saj dhe jep shenja se nëse vijnë në pushtet do ta kontrollonin dhe vet ligjorin, që nuk është në funksion të rregullave të demokracisë dhe shtetit ligjor”, ka thënë Beqaj. /Kosovapress/