Hetemi: Kuvendi i spastrimeve dhe i shkeljeve

Hetemi ka kontestuar punimet e këtij kuvendi, duke thënë se po të ishte ndonjë kuvend i Koresë së Veriut, do të ishte në rregull, por që për rrethanat tona, më së paku ishte kuvend.
"Nuk ka qenë kuvend pune, por kuvend i spastrimeve, i largimit të njerëzve të devotshëm të LDK-së dhe ngufatje e zërit të brendshëm të LDK-së. Me bindje të plotë po e them se ky zë do të jete shumë më i fuqishëm. Së pari u shkel statuti i partisë dhe në prani të kryetarit Isa Mustafa dhe nënkryetarit Haki Rugova", ka thënë Hetemi, për të shtuar se zgjedhja e kryetarit të degës ka qenë jo e ligjshme, sepse kandidati për kryetar duhet të vjen nga radhët e strukturave partiake dhe jo nga Gjermania, siç u veprua me Sfarqën.
Për më tepër, Hetemi ka thënë se për këto shkelje do të paraqes ankesë në organet më të larta të partisë, ndërsa ka thënë se nuk do ta braktis LDK-në, pasi LDK-ja e vërtetë është jashtë atij kuvendit që është mbajtur dhe nuk ka asgjë të përbashkët me filozofinë rugoviane, pasi në të kuvend, sipas tij, u prodhua filozofia e spastrimeve dhe e përçarjeve.
Nga ana tjetër, kryetari i degës, Muharrem Sfarqa ka thënë se nga kryesia prej 41 anëtarësh është reduktuar numri në 25 dhe mundësia e përfshirjes së disa prej figurave ka qenë e pamundur, ndaj ka ftuar këtë grup të të pakënaqurve që të jenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta për të fuqizuar edhe më tej LDK-në.
"Kam menduar se kjo kryesi është garancë e suksesit të LDK-së. Por që ekzistojnë edhe kujdestarë që kujdesen që LDK-ja të mos jetë aty ku e ka vendin. Thërras njerëzit që të mos bien pre e manipulimeve nga padronët e ndryshëm", ka thënë Sfarqa, duke konsideruar se nuk janë bërë shkelje të procedurës së zgjedhjes së tij, pasi marrëveshjet janë akte statutore.