Graham propozon baza të përhershme në Afganistan

Ligjvënësi i njohur Republikan për politikën ushtarake të Shteteve të Bashkuara Lindzi Graham deklaroi se ai dëshiron që zyrtarët amerikanë të konsiderojnë vendosjen e bazave të përhershme ushtarake në Afganistan.
Në një intervistë për televizionin NBC Senatori Graham theksoi se vendosja e disa bazave ajrore amerikane në Afganistan do të ishte e dobishme për rajonin, dhe do t`u jepte forcave afgane të sigurisë mprehtësinë e duhur kundër talebanëve.
Ai tha se dëshiron të shohë që SHBA-të të kenë "marrëdhënie të qëndrueshme" me Afganistanin, për të siguruar se ai kurrë më nuk do të bjerë në duart e talibanëve.
Presidenti Barak Obama planifikon të fillojë tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani vitin e ardhshëm, dhe përgjegjësinë e sigurisë t`ua mbart afganëve në vitin 2014.