Gramoz Ruçi: PS refuzon të japë të drejtën e votës për 16-vjeçarët
Takohen krerët e grupeve parlamentare të PD dhe PS
Krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi u takuan për të shqyrtuar propozimin që kryeministri Berisha bëri pak ditë më parë në mbledhjen e grupit të PD-së, për uljen e moshës së votimit deri në 16-vjeç. Ashtu siç kishte kërkuar Berisha, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi u takuan mesditën e djeshme pa praninë e mediave. Në emër të socialistëve Ruçi ka shprehur qëndrimin kundër nismës për lejimin e votimit të 16-vjeçarëve, me pretendimin se është shumë vonë për ndërhyrje në Kushtetutë. Ruçi ka theksuar se për PS-në rëndësi ka mbarëvajtja e zgjedhjeve. Astrit Patozi nga ana e tij ka vlerësuar se nisma e kryeministrit Berisha është vlerë e shtuar në procesin zgjedhor të 23 qershorit, ndaj ka kërkuar konsensusin e socialistëve. Kryeministri i vendit Sali Berisha kërkoi pak ditë më parë uljen e moshës së votimit në 16-vjeç. Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së Berisha i kërkoi kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi nisjen e negociatave me grupet parlamentare për nismën e kërkuar prej tij.
Ideja e lançuar nga kryeministri për t’u dhënë të drejtën e votës edhe rreth 100 mijë të rinjve nga mosha 16 në 18 vjeç, duket e pazbatueshme për 3 muajt e mbetur, për ambasadorin e OSBE-së.
Diplomati Eugen Wollfarth gjatë një prononcimi për mediat ditën e djeshme deklaroi se këto ndryshime nuk mund të bëhen disa javë para zgjedhjeve. "LSI-ja mbështet propozimin e ri të kryeministrit Berisha për uljen e moshës së votuesve në 16 vjeç, por për këtë apelon konsensus", ishte reagimi i djeshëm i kreut të LSI-së Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp.