E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e reja për të përmirësuar ekonominë globale

14-03-2013 / Nga Ilirian Dahri

Vendet e zhvilluara po përpiqen të gjejnë të gjitha rrugët e mundshme për të ecur përpara dhe duke synuar sidomos në rritjen ekonomike. Në fillim kanë qenë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë sjellë në vëmendje të opinionit publik rikthimin e industrisë së manifakturës dhe fill pas tyre edhe vendet e tjera të zhvilluara. Po flitet gjithmonë dhe më shumë se aktiviteti i manifakturës është themelor për garantimin dhe rritjen e vazhdueshme të ekonomisë. Vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka shfaqur interesin e tij për këtë sektor. Sipas të dhënave më të fundit vërehet një rritje e shpejtë në fabrikat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe vendet e tjera të zhvilluara (përjashto SHBA dhe Japoninë) po marrin në konsideratë rritjen e sektorit të manifakturës madje Europa ka dalë në konkluzionin se duhet të forcojë rolin e saj global në këtë sektor të rëndësishëm. Ka shumë vende, si Italia, Gjermania, Japonia, Kina dhe Korea, të G20  të cilat po ecin mirë në këtë sektor por nga ana tjetër ka ende vende të tjera që po ecin ngadalë. Synimi është i thjeshtë, sepse po kërkohen rrugë të tjera për të ndihmuar ekonominë e vendeve të prekura ndërkaq nga kriza dhe ky sektor po shihet gjithmonë dhe më shumë si një sektor që do të ndihmojë edhe rritjen e ekonomisë globale. Edhe në një vend si Italia fqinje, që në të njëjtën kohë konsiderohet si fuqia e tetë e ekonomisë botërore, po merr masa për fuqizimin dhe konsolidimin në fushën e manifakturës. Natyrisht në këtë fushë do të kërkohej (dhe në fakt po zhvillohen negociata pikërisht për këtë temë) një shkëmbim i lirë mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke synuar në të njëjtën kohë nxitjen dhe investimet në tregti. Sipas të dhënave më të fundit, vende si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ecin shumë shpejt në këtë drejtim madje amerikanët duke u bazuar në modelin e tyre kanë arritur që vetëm në muajin shkurt të krijojnë rreth 236 mijë vende të reja pune. Sipas kreut të këshilltarëve ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, Krueger, në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krijuar 500 mijë vende pune në sektorin e manifakturës dhe ky padyshim është rezultati më i mirë që prej vitit 1986. Natyrisht në këtë mënyrë po kërkohet që të ringrihet industria e cila do të ndihmonte mjaftueshëm në daljen nga kriza. Ndërkaq shumë prej firmave të mëdha amerikane i janë rikthyer vendit të tyre, mjafton të përmendet Apple e cila që prej vitit 2012 ka filluar që të prodhojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato materiale që deri një vit më parë prodhoheshin në Kinë. Përmirësimi është i dukshëm për një vend si Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka marrë shumë masa  duke krijuar në të njëjtën kohë edhe një model amerikan të bazuar jo në rritjen e taksave e cila nga ana e saj do të ulte kërkesën dhe ndoshta do të gjunjëzonte vendin. Rezultatet janë të kënaqshme madje që nga viti 2008 kur pllakosi kriza financiare planetare, duket se më në fund gjithcka po ecën me një trend pozitiv. Është rritur numri i të punësuarve në manifakturë, janë rritur të ardhurat e firmave, ndërsa bankat kanë gjetur më në fund ekuilibrin e duhur dhe shumë prej tyre kanë përmirësuar pozicionin e kapitalit të tyre. Edhe sektori imobiliar më në fund është stabilizuar duke dëshmuar madje edhe sinjale rritje. Sidoqoftë edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen në dhjetë vitet e ardhshme me masa drastike kjo nuk shton pesimizmin për ekonominë globale. Këtë vit ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, parashikohet që të ketë një rritje që mund të arrijë nga 2 deri në 2,5%. Nuk dihet ende ndërkaq sesa do të ndikojnë masat e marra në shpenzimet publike të cilat do të sillnin nga ana tjetër shumë të papunë. Mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se është i qartë edhe për vetë Bashkimin Europian dhe sipas tij duhen gjetur stimujt e duhur fiskal për industrinë duke përfshirë këtu edhe sektorin privat.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›