Gramoz Ruçi: Pse u arratisa në Greqi
Intervista/ Kreu i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi tregon sesi u transformua Partia e Punës në Parti Socialiste
"Kisha pesë procese penale, i2 Prillit, i shkollës "Skenderbej", dosjet, armëve të sofistikuara dhe një proces financiar".
Z.Ruçi, cili do të jetë Kryeministër në rast se opozita do të fitojë?
Z.Meta është kryetar i LSI dhe Rama i PS-së. Ne jemi forcë opozitare më vete dhe ata janë forcë opozitare më vete. Nuk e dimë se si do dalin rezultatet e zgjedhjeve, ne futemi për t'i fituar zgjedhjet. Dhe unë jam për atë, që Kryeministër të bëhet ai që fiton zgjedhjet. Natyrisht, që edhe LSI nuk pretendon të fitojë zgjedhjet. Kur bëhet një fushatë elektorale, flasim se kush do t'i fitojë zgjedhjet, PS apo PD. Unë jam kundër asaj filozofie të përdorur në 8 vjet, që PS ndërroi 6 kryeministra. PS nuk duhet të bëjë gabime të tjera, mund të bëjë të reja, por jo të së shkuarës. Nuk duhet të ketë ekuivoke, se cili do të jetë Kryeministri në rast se PS është në pushtet. Elektorati do të votojë për partinë, por edhe ata që do të drejtojnë qeverinë.
Kjo skemë e lë jashtë z.Nano?
Kam pasur të njëjtën mendim, që z.Nano duhet të ishte Kryeministër për 8 vjet, pasi fitoi zgjedhjet.
Cila është mbështetja e z.Nano brenda partisë?
Kam punuar me Nanon dhe kam bashkëpunuar politikisht. Kam pasur dhe marrëdhënie të shumanshme, si njerëzore, familjare dhe politike. Kam vlerësuar dhe vlerësoj vlerat e tij si intelektual dhe politikanë. Por, Fatos Nano ka një problem me vetë Nanon. Pra nuk më anti-Nano se vetë Nano.
Z.Ruçi ju keni pasur poste të larta gjatë sistemit totalitarist. A keni udhëtuar jashtë shtetit në atë kohë dhe cilat ishin impresionet tuaja?
Kam udhëtuar vetëm një herë, tranzit në Itali dhe mandej gati një javë në Spanjë. Kushdo që nuk kishte dalë jashtë, impresioni i parë ishte tepër shokues. Ndërsa ne merreshim këtu me furnizimin e popullit, kaq qumësht apo kaq kg mish për 5 majin apo 28 Nëntorin, në Itali apo në Spanjë veç nënë e babë nuk gjeje, pra një shokim nga zhvillimi. Pra, dilte konkluzioni se ne rrihnim ujë në hava në Shqipëri. Konkluzioni i dytë, ishte se shikoje që bota ishte në punë, kurse ne këtu bënim sikur punonim dhe shteti bënte sikur na paguante. Gjithashtu shihje se ligji ishte i pranishëm kudo.
Ia thatë kujt këto kur u kthyet?
Sigurisht e kam thënë dhe jo një njeriu të zakonshëm, dhe ai më kapi për qafe dhe më tha, ty hiç gjë të paska bërë përshtypje.
Si u bëtë Ministër i Brendshëm?
Unë nuk e mendoja kurrë. Kam marrë një telefonat drejtpërdrejtë nga Ramiz Alia, ku më ka thënë nisu urgjent e në Tiranë. Ramiz Alia atë ditë ka pasur një takim me aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme. U vonova shumë rrugës, pasi në Kavajë ishte bllokuar rruga. Kam parë tanket në bulevard dhe i jam drejtuar Komitetit Qendror dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se askush nga ata që siguronin rendin, nuk guxoi të ndalojë makinën time. Dhe kur shkova tek oficeri i shërbimit u ngrit si para eprorit dhe më raportoi: Z.Ministër s'kemi asgjë të re. Në atë kohë unë fillova të reflektoja pse gjithë ato nderime për makinën time. Pra Qeveria ishte shpallur dhe unë nuk dija gjë.
Cila ishte gjëja më e vështirë me të cilën u përballët në atë kohë si ministër?
Katër vetë u vranë në qytetin e Shkodrës dhe ky është pengu më i madh që kam unë në jetë.
Çfarë ka ndodhur në 2 Prill?
Unë e kam bërë publike atë që di, për atë ngjarje. Unë jam paraqitur në dy gjyqet e bëra në Shkodër për këtë çështje, ashtu siç kam deponuar edhe në komisionet parlamentare.
A keni dhënë urdhër për të qëlluar?
Nuk bëhet fjalë fare që të ketë pasur urdhër jo vetëm nga unë, por edhe nga vartësit e mi, për të qëlluar. Sigurisht, ky është pengu më i madh që kam për atë kohë, që për këtë ngjarje edhe sot nuk është thënë e vërteta për të. Pra, nuk është thënë e vërteta se kush është shkaktar për vrasjen e katër dëshmorëve.
Si e morët njoftimin për këtë ngjarje?
Unë njoftimin e kam marrë fare rastësisht dhe jashtë dyerve të ministrisë. Ka qenë një mbledhje e organizuar nga Presidenca dhe aty isha unë, për të raportuar për zhvillimet e përgjithshme. Në kohën që unë po raportoja, më informuan në mbledhje se në Shkodër po ndodhte ajo që po ndodhte.
Ish-shefi i SHISH-it ka deklaruar se ju dispononi mikrofilmat e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit...
Nuk dua të debatoj me Gazideden dhe, së dyti, gjatë kohës sime nuk bëhet fjalë për asnjë eliminim të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Dosjet i mbante Sigurimi dhe ai ishte i shpërndarë në rrethe. Pra nuk bëhet fjalë për eliminim dosjesh dhe filmash. Dosjet kanë tre elementë: elementi i parë, është dosja personale e bashkëpunëtorit, që do të thotë që ai me vullnetin e tij të lirë, pranon të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me këtë pseudonim dhe me këtë parullë dhe në fund firmos ai. E dyta, është dosja e tij e punës me të gjitha informacionet që ai ka dhënë. Dhe, e treta, është dosja e viktimave të këtij informacioni. Pra, ngado që të shkosh, për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nuk mund të zhdukësh as deklaratën personale dhe as shkrimin. Unë nuk e di se çka ndodhur me to, por unë jap garanci se gjatë kohës që kam qenë ministër i Brendshëm nuk është prekur asnjë fletë e asnjë dosje.
Ju keni drejtuar një nga seancat e Kongresit të Dhjetë të Partisë së Punës, ku dhe u krijua Partia Socialiste. A kishte një marrëveshje mes jush, pra me z.Nano, z.Alia, për të goditur Byronë e vjetër?
Jo, nuk ka pasur një marrëveshje të tillë. Unë, edhe në këtë seancë jam ndodhur pa dijeninë time. Unë isha në Presidiumin e atij kongresi dhe përfaqësia ishte mbledhur më parë dhe ajo më kishte zgjedhur mua që të drejtoja këtë seancë. Unë aty i jam drejtuar sallës, se cilët ishin ata që kishin kërkuar seancën me dyer të mbyllura. Janë ngritur delegatët e Fierit dhe ata të Tiranës, të cilët e kishin kërkuar. Ata hidhnin për diskutim dhe të analizoheshin dhe të përjashtoheshin nga partia anëtarët e Byrosë Politike. Kjo për shumë arsye, pasi ai ka qenë gjyqi më i madh moral dhe politik për anëtarët e Byrosë Politike.
A ishte ky një inskenim për të transformuar PP-në në PS?
Nuk mund ta quaj një inskenim, por përgatitja për të krijuar PS nuk kishte filluar atë ditë, pasi kishte kohë që kishte filluar. Unë isha në dijeni të kësaj çështjeje. Pjesa e re e Partisë së Punës, kishte kohë që po punonte për këtë çështje dhe kishim ngritur dy grupe pune. Kishte shumë intelektualë që ishin futur në këto grupe dhe po punonin me materialet e Programit dhe Statutit. Ishte momenti i përgatitjes së sallës dhe për herë të parë që pas vdekjes së Enver Hoxhës po zhvillohej një kongres partie dhe në skenën ku do të vendosej presidiumi nuk ishte portreti i Enver Hoxhës, por ishte lulëkuqja. Ishte menduar që deri tek finalizimi i kësaj nisme, natyrisht që kishte shumë diskutime për emrin që do i vendosej dhe deri diskutime shumë të mëdha për lidershipin e kësaj partie.
Kush e përzgjodhi Nanon si kryetar të kësaj partie?
Pothuajse ishte një mendim i gatuar tek të gjithë ata që u zgjodhën nga ky Kongres, për Fatos Nanon. Nano ishte një fytyrë e re, ishte një intelektual që për herë të parë dilte, ishte një risi, kishte qenë Kryeministër i vendit. Ishte pothuajse një mendim unanim i gjithë forumit që e zgjodhi Nanon. Natyrisht, ka pasur një hezitim jo të vogël nga ana e Nanos. Ishte Nano që nuk donte dhe pas dy apo tre orësh debat në Plenum, ai e pranoi dhe vuri disa kushte lidhur me ata që do të zgjidheshin në Kryesi.
A është e vërtetë që ju i keni lënë rrugë PD në vitin 1992, që të kishte një fitore të madhe?
Pa asnjë dyshim po. Këtu nuk është bërë ndonjë tradhti e madhe. Ishte situate e tillë, që ne sapo kishim dorëzuar pushtetin dhe, e dyta, partia jonë PP e transformuar në PS, në rast se do të merrte përsëri pushtetin, do të bënte që perëndimorët të mos mbështesnin demokracinë shqiptare në atë kohë.
Z.Ruçi ju jeni kërkuar nga ana e shtetit për t'u arrestuar. Cilat ishin akuzat që rëndonin mbi ju?
Nuk është tamam kështu, pasi në zgjedhjet e 1996 unë nuk kandidova për shkak të ligjit anti-gjenocidit. Pas zgjedhjeve, unë dhe shtëpia ime ishim 24 orë të rrethuar nga policia.
Por nuk ka qenë kjo arsyeja e vërtetë që unë kam ikur. Ishte dhe kjo një arsye që unë kam ikur, por unë isha i vendosur që të vazhdoja veprimtarinë time si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së. Në atë kohë pranë meje u paraqit dhe një promemorie e Nanos nga Burgu i Bënçës. Unë kisha dy pozicione për të mbajtur: ose të përjashtoja veten nga ai bashkëpunim ose t'i kundërvihesha atij mocioni. Unë zgjodha të mos i kundërvihesha atij mocioni, pasi në princip unë isha dakord që duhej një lëvizje brenda PS-së dhe, së dyti, nuk kishte as moral politik që t'i kundërvihesha kryetarit të partisë, dhe aq më tepër që ai ishte në burg. Por, unë nuk do të isha më Sekretar i Përgjithshëm dhe as deputet. Përse duhet të qëndroja unë, që ndoshta të bëhej dhe një arrestim formal?
Përse donin t'ju arrestonin?
Unë kam pasur shumë procese. I pari, ishte procesi i 2 prillit. Ka pasur një tentativë për procesin e vrasjes në Shkollën "Skënderbej". Një moment i tretë, ka qenë ai i dosjeve. Një proces i katërt, ka qenë ai për përgatitjen e armëve të sofistikuara për të goditur lëvizjen demokratike. Pastaj u hap një proces financiar, që këto para` që i kishte marrë një firmë që ishte akredituar në Shqipëri, nuk ishin thyer tek llogaria e pushtetit. Këto ishin problemet që i vinin vërdallë Gramoz Ruçit.
Marrë me shkurtime nga "Opinionin +"