E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqin, vetëhelmohen bashkëshortët e moshuar

Qazim Hoxha, 68-vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Shahe, 66-vjeç u helmuan me fostoksinë. Vajza: Nuk kuptova gjë
Bashkëshortët, kishin një djalë, por jetonin me vajzën e martuar: Na u mërzit jeta, vendosëm t'i japim fund
PEQIN-Janë gjetur pa jetë, bashkë, afër njëri-tjetrit, pasi kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine, dy të moshuar, banues në fshatin Kurtaj të rrethit të Peqinit. Qazim Hoxha, 68-vjeç, dhe Shahe Hoxha, 66-vjeç, kishin vendosur t'i jepnin fund jetës së bashku, duke zgjedhur pasditen e djeshme, kurnë shtëpinë e vajzës së tyre, kupo jetonin prej 2 vitesh nuk kishte njeri. Skena tragjike është parë nga vajza e bashkëshortëve, e cila nuk ka mundur të bëjë asgjë për t'i ndihmuar. Nënën, e ka gjetur pa jetë, kurse babai në grahmat e fundit, i ka belbëzuar se ndiheshin të kotë në jetë, ndaj i dhanë fund. Ai edhe pse i dërguar me urgjencë në spital, ka humbur jetën gjatë rrugës.
Ngjarja
Dy të moshuarit kanë qenë vetëm gjatë pasdites së djeshme, kur vajza e tyre, Sime Sulkja, kishte dalë nga shtëpia për të mbaruar disa punë. Po kështu edhe fëmijët kanë dalë dhe Qazim dhe Shahe Hoxha kanë realizuar aktin fatal, duke pirë tabletat vdekjeprurëse. Kur vajza e tyre është kthyer i ka gjetur të shtrirë për tokë në dhomë dhe është munduar t'i ndihmojë, duke mos kuptuar asgjë nga se kishte ndodhur. Fqinjët e familjes kanë dëgjuar britmat e vajzës dhe kanë shkuar ta ndihmojnë duke transportuar 68-vjeçarin për në spital. Rrugës për në spital, ai i ka treguar vajzës çfarë kishte ndodhur. Mes lotëve vajza e tij, tregon se prindërit kishin vite që jetonin aty dhe mes tyre nuk kishte pasur asnjë herë ndonjë problem. "Atyre i peshonte shumë fakti që jetonin në shtëpinë e vajzës dhe jo me djalin e tyre. Nuk di pse më tha babai, që i ishte mërzitur jeta dhe pse kishin vendosur të vdisnin në atë mënyrë",- tregon e tmerruar vajza. Sipas saj, në momentin që ajo është larguar nga banesa, i ka lënë të qetë, megjithëse tregon se ata të dy ishin të heshtur.
"Nuk e prisja kurrë që do t'i gjeja të vdekur. Nuk di pse e bënë këtë gjë. Nuk më thanë asnjë fjalë që unë të kuptoja dhe t'i ndalja",- tregon mesa lotësh ajo. Tronditja e vajzës së tyre, që i mbajti për disa vite në shtëpi, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhej në Greqi ka qenë tepër e madhe.
Vendimi
Prej kohësh, dy të moshuarit, të ndjerë të tepërt në këtë botë, kishin menduar si zgjidhje vetëhelmimin. Një prej tyre kishte arritur të siguronte dhe helmin. Kanë mbyllur dyert dhe kanë pirë tabletat, ndërsa gjendeshin të vetëm në shtëpi. Kur ka mbërritur në shtëpi vajza e tyre, që i kishte strehuar, ka parë nënën e vdekur dhe babanë në fund të jetës. Vajza e traumatizuar ka dëshmuar në polici fjalët e fundit të shqiptuara nga i ati.Fjalët e fundit të babait ishin: "Na ishte mërzitur jeta dhe nuk jetonim dot më, kështu që vendosëm të vdesim duke u vetëhelmuar",- ka rrëfyer ajo. Sipas vetë vajzës, por edhe burimeve policore, edhe pse është transportuar për në spital, 68-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e efektit vdekjeprurës të helmit të fostoksinës.
Dëshpërimi
Dy bashkëshortët Hoxha, jetonin tek vajza e tyre e martuar. Burimet zyrtare bëjnë me dije, se ishte vendimi i vajzës që prindërit të jetonin bashkë me të, pasi ishin larguar nga fshati Përparim, ku edhe jeton djali i tyre i vetëm. Mësohet se dy prindërit nuk kanë mundur të qëndrojnë në shtëpinë e fshatit, ku banon aktualisht djali, dhe vajza e martuar në fshatin Kurtaj është ofruar t'i mbajë dhe t'i ndihmojë. Por duket se kjo gjë ka shënuar mjaft jetën e dy bashkëshortëve Hoxha, të cilët janë ndjerë të braktisur nga djali i tyre, pa një shtëpi të tyren dhe pa ndihmë. Fqinjët e familjes Sulkja në fshatin Kurtaj, i tregojnë si njerëz mjaft të sjellshëm dhe të urtë. Një prej tyre tregon se ata dukeshin shumë të trishtuar, sidomos ditët e fundit. Vetëvrasja e dyfishtë e regjistruar në fshatin Kurtaj ka përfshirë të gjithë zonën, për faktin se së bashku kanë dashur të largohen nga kjo jetë, pasi kanë jetuar vështirësitë, braktisjen dhe varfërinë.
Bashkëfshatarët
"Kishte hapur edhe varret në fshat"
Një skenar i planifikuar fund e kryer. Kështu ka qenë vdekja e bashkëshortëve Hoxha, që prej dy vjetësh jetonin në shtëpinë e dhëndrit, tek vajza e tyre në Kurtaj të Peqinit. Fshehtasvëmendjes së vajzës, babai i saj duket se ka organizuar gjithçka në detaje, i vendosur për t'i dhënë fund jetës. Por sigurisht duke marrë me vete edhe gruan, me të cilën ndau jetën. Sipas banorëve të fshatit Psërparim, ku kanë jetuar deri në pleqëri bashkëshortët Hoxha, mësohet se 68-vjeçari kishte menduar edhe për pas vdekjes. "Ai ka hapur varret në fshat, duke lënë porosi se ku do të varrosej"- thonë bashkëfshatarët, duke treguar për ngjarjen. Ndonëse, për këtë askush nuk ka menduar për keq, pasi porosi të tilla për prehje në vendin e lindjes janë tashmë të njohura. Sipas tyre, burrë e grua, nuk kanë pleqëruar me djalin, ndonëse kanë dashur. Mësohet se një zënkë mes tyre ka bërë që ata të ndahen dhe të braktisur të strehohen tek vajza e tyre e martuar.
 
Dyshimi
Gruaja nuk dinte gjë për fostoksinën
Mbeten ende mister dhe duket se do të mbetet, përderisa nuk ka më kush të dëshmojë për këtë. Një nga dyshimet e para, fill pas sqarimit të ngjarjes së rëndë, është se gruaja 66-vjeçare nuk ka ditur gjë se çfarë po pinte. Fjalët e para pas ngjarjes dëshmojnë për një organizim dhe planifikim të gjithçkaje nga vetë bashkëshorti Hoxha. Sipas burimeve jo zyrtare, mësohet se ai i ka dhënë gruas të pijë tre kokrra fostoksinë, por pa i thënë se çfarë ishin. Ndërkohë që ajo, duke i kujtuar ilaçe i ka gëlltitur pa frikë. Dyshim, që mbetet i veshur gjithsesi me mister, pasi me dashjen e të dyve, apo vetëm të njërit, tashmë ata nuk jetojnë më.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›