Novi: Luftëtari, i prirur vetëm për sukses
Ekipi do të bashkohet sot në Gjirokastër dhe do të nisë përgatitjet për ndeshjen e prapambetur me Kukësin
Luftëtari u kthye nga Ulqini, ku u stërvit 10 ditë dhe luajti 3 ndeshje miqësore, me Vllazninë U-19, Vllazninë e burrave dhe Tomorin, me të cilët arriti përkatësisht rezultatet 1-1, 1-1, 2-3. Me ekipin u stërvitën 22 futbollistë, 19 të fazës së parë dhe 3 të ardhur si përforcime për 16 ndeshjet e mbetura, sepse gjirokastritët kanë edhe të prapambeturën e javës së 14të me Kukësin, që ka 3 pikë më pak.
Duke qenë se 5 futbollistë, konkretisht Shalari, Ramadani, Baci, Gaxahj dhe Raboshta kanë dëmtime nga viti i kaluar, më shumë 2 të parët, patjetër që edhe me ardhjen e Hithit, Stratit dhe Ninos formacioni bazë do të ketë ndryshime. Por shenjat janë premtuese, sepse në miqësoren me Tomorin u aktivizuan Baci dhe Raboshta.
Luftëtari u nis nga Uliqini të mërkurën pasdite, pas ndeshjes me Tomorin, por në Gjirokastër arriti pothuajse gjysma e armatës, sepse një pjesë mbetën në Shkodër dhe të tjerë në Tiranë, ku qëndroi edhe trajneri Nevil Dede dhe gjirokastritët Devolli, Nora dhe Braho. Bashkimi do të bëhet sot, në orën 13:00, në stadiumin Gjirokastra. Përqendrimi do të jetë te dueli me Kukësin, që do të jetë edhe përplasja e parë zyrtare për 2012ën, ku, nëse fiton, i bëhen 12 fitore.
Novi Ndihmëstrajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, i cili mbërriti në Gjirokastër, për sa u bë në Ulqin dhe për çfarë do të bëhet në vazhdim, shprehet: Në Ulqin bëmë për 10 ditë stërvitje intensive, me 2 seanca në ditë, ku lojtarët morën ngarkesë të plotë. Aty zhvilluam edhe 3 ndeshje miqësore, që na shërbyen për formatimin e ekipit. Tre lojtarët e afruar për fazën e dytë, Hithi, Strati dhe Nino, do të jenë pjesë e Luftëtarit, pasi e kalaun me sukses provën.
Ata janë lojtarë të njohur dhe me përvojë, ndërsa për të dëmtuarit mund të them se Raboshta ka filluar stërvitjen me grupin, kurse Ramadani dhe Shalari kanë probleme. Nesër (sot) rifillojmë procesin stërvitor për ndeshjen e posaçme me Kukësin, ku do të pretendojmë fitoren, që do të jetë e para për vitin e ri. Kam mendimin se Luftëtari do të vazhdojë marshimin e nisur drejt superligës.
