E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Grand Prix” për tokat e pushtuara

“Shkallët” është një ndër tre filmat që kanë triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Kinematografisë së vendeve mesdhetare të zhvilluar në Montpelie për gjininë e filmit me metrazh të shkurtër. Produksioni i regjisorit Ilir Harxhi e ka renditur Shqipërinë në një ndër vendet më të vlerësuara në këtë kompeticion. “Grand Prix” është çmimi që filmi “Shkallët” ka arritur të rrëmbejë në këtë festival, ndërkohë që premiera e tij është shfaqur rreth tre muaj më parë në kryeqytet. Përballë 20 filmave të tjerë të së njëjtës gjini, vetëm tre vende kanë mundur të largohen me nga një çmim nga shtëpia e parë e kinemasë në Francë, siç e përkufizon edhe vetë regjisori i filmit, Harxhi

“Grand Prix” për tokat e pushtuara

Suela Furriku

“Shkallët” është një ndër tre filmat që kanë triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Kinematografisë së vendeve mesdhetare të zhvilluar në Montpelie për gjininë e filmit me metrazh të shkurtër. Produksioni i regjisorit Ilir Harxhi e ka renditur Shqipërinë në një ndër vendet më të vlerësuara në këtë kompeticion. “Grand Prix” është çmimi që filmi “Shkallët” ka arritur të rrëmbejë në këtë festival, ndërkohë që premiera e tij është shfaqur rreth tre muaj më parë në kryeqytet. Përballë 20 filmave të tjerë të së njëjtës gjini, vetëm tre vende kanë mundur të largohen me nga një çmim nga shtëpia e parë e kinemasë në Francë, siç e përkufizon edhe vetë regjisori i filmit, Harxhi. Çfarë domethënie ka ky çmim për kinematografinë shqiptare? Po tek regjisori vetë? Detaje të tjera të pazbuluara më parë rreth produksionit filmik apo hapat e tjerë të radhës, regjisori Ilir Harxhi i tregon hollësisht në një intervistë për “standard”. Filmi me skenar të Artan Minarollit, muzikë të Miron Kotanit, ku luajnë aktorët Margarita Xhepa, Genc Fuga, Gentjan Zenelaj, vajza e shpallur “Miss Kosova dhe Albania” në 2005-n, Agnesa Vuthaj etj., trajton historinë e një biznesmeni, që investon në ndërtime, me idenë për të përfituar dhe pa ofruar shërbimin e duhur. Një palë shkallë të ngushta më shumë se norma e lejuar, bëhen shkak që përfitimi t’i kthehet kundra. “Shkallët”, me regji të Ilir Harxhit, është shfaqur më 6 gusht në “Dokufest”. Harxhi është diplomuar si inxhinier në 1992, në Tiranë. Filmi i parë artistik ka qenë “Piano”, 2006. Me filmin e tij të dytë artistik, “Një weekend jashtë sezonit”, në 2006, ai ka qenë pjesëmarrës në Festivalin e 12-të të Filmit Shqiptar në TIFF, në “Asterfest” Maqedoni, në “Dokufest” Prizren, Kosovë.

Filmi “Shkallët” me regjinë tuaj u kurorëzua me çmimin “Grand Prix” në një festival ndërkombëtar në Francë, çfarë i jep ky vlerësim kinematografisë shqiptare?

Ky është një vlerësim, si për mua, ashtu edhe për kinematografinë tonë shqiptare. Dua të theksoj se ky çmim është rrëmbyer në shtëpinë e parë të kinemasë në Francë dhe nuk është pak. Festivali ku ishte nominuar filmi jonë i përkiste një niveli të lartë, i një rëndësie të veçantë pra në Montpelie dhe kjo është një konsideratë shumë e madhe për mua. Ky kompeticion është quajtur ndryshe edhe si festivali i filmit autor. Kjo vjen ngaqë janë trajtuar të gjitha problemet e rajonit e mesdhetar, Afrikën Veriore, pjesën e Azisë, Detin e Zi, Detin Adriatik e kështu me radhë. Të gjitha këto vende të Mesdheut dhe problematikat që i shqetëson ishin të “rrahura” si tematika të veçanta në këtë festival. E në këtë mënyrë, edhe ne si pjesë e rajonit mesdhetar kemi transmetuar një nga problemet e shumta që ndeshim në jetën e përditshme. Tematika që kam trajtuar nuk është e thënë që është një problem vetëm për Shqipërinë, sepse ambiente të ngushta nuk ka vetëm në vendin tonë, por edhe shumë më gjerë, siç mund të jetë rasti i disa filmave amerikan që në subjektin e tyre përshkruheshin situata pak a shumë të njëjta me filmin “Shkallët”, kur njerëzit jetonin në hapësira të ngushta publike.

Për ju si regjisor, çfarë do të thotë ky çmim?

Është një vlerësim shumë i madh i punës sime në bashkëpunim me pjesën tjetër të realizmit të filmit me metrazh të shkurtër “Shkallët” dhe me jep edhe më shumë forcë, që të punoj me shumë përkushtim për projektin tjetër për të cilin do të filloj së shpejti. Do të punoj me më shumë optimizëm, sepse është më se e kuptueshme që çmime të tilla janë një stimul dhe një motivim shumë i fortë për të përshkuar rrugë më të gjata në fushën e kinematografisë. Është një arritje që u klasifikova si një konkurrues në një festival të tillë, e ndërkohë që çmimin “Grand Prix” mund ta përkufizojmë si qershia mbi tortë. Deri tani unë kam realizuar gjithsej tre filma, ku shpenzimet financiare i kam mbuluar vetë, ndërsa ky i fundit, “Shkallët” është mbështetur nga buxheti i qendrës kinematografike. Ky është një film me metrazh të shkurtër dhe siç është theksuar, është nderuar edhe me një çmim të madh si “Grand Prix” në Festivalin e Kinematografisë së vendeve mesdhetare të zhvilluar në Montpelie. Ky fakt më mbush me optimizëm që të hedh edhe hapin e radhës artistik, ku do të konsistojë në realizimin e një film me metrazh të gjatë.

Cila ishte rruga që keni ndjekur në realizmin e filmit?

Profesioni im është një inxhinier, por edhe kam studiuar për regji filmi nga 2004, deri në 2006, në Akademinë e Filmit “Marubi” në Tiranë. Pra, edhe pse me një diplomë të një fushe shkencore, filmi ka qenë dhe mbetet një nga pasionet e mia më të mëdha, ndërsa në fëmijërinë time filmi ishte thjesht një ëndërr e imja në sirtar. Jam rritur pranë filmit, që kur njeriu fillon të mbajë mend. Pra, që në moshën 3-4 vjeç e deri kur kam mbaruar studimet e larta, filmi ka qenë një pjesë e imja në formimin tim. Në këtë mënyrë kuptohet se mes meje dhe kësaj fushe kishte lindur një lidhje shumë e ngushtë dhe unë kam arritur të gjejë mundësitë më të mundshme për të bërë dëshirat realitet. Ky investim i ardhur në kohë ka ardhur si rezultat i studimeve të mia për regji filmi para katër vitesh. Filmi ka edhe gjuhën e tij sepse që të kërkosh kualitetin në film duhet me patjetër që ta njohësh atë. Filmat e mi kanë ardhur duke u rritur në rend minutazhi. Filmi i parë ka zgjatur vetëm shtatë minuta, i dyti 15, ndërsa ky i fundit ishte 30 minuta. Ndërkohë që në lidhje me filmin unë kam pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjithë komponentët e realizimit të tij, e në mënyrë të veçantë me skenaristin ë filmit, Artan Minarolli, apo edhe me pjesën tjetër të stafit kontribuues për të sjellë këtë produksion filmi. Sa i përket karaktereve që kam arritur të përcaktoj, ndihem shumë mirë, sepse jam më se i bindur se çdo njëri prej tyre është i përshtatshëm dhe kam bërë një zgjedhje adapte. Ata janë të gjithë aktorë profesionistë, me përjashtim të një personazhi, e cila është “miss” i Kosovës dhe “Miss Albania” dhe quhet Agnesa Vuthaj. Një tjetër komponent që dua të theksoj është edhe bashkëpunimi për herë të parë me Miran Kotanit për muzikën e filmit. Nuk është filmi i tij maksimal, sepse nuk është punuar me një sistem elektronik të teknologjisë së moderuar, por me mjete të “gjalla” regjistrimi.

Si ndikoi kjo lloj zgjedhje muzikore në festival?

Kjo lloj muzike u bëri shumë përshtypje anëtareve të tjerë në këtë festival. Ata më kanë pyetur menjëherë për autorin e muzikës së filmit, për të shuar kështu kureshtjen. Unë me shumë respekt për kompozitorin u tregoj se janë notat e pentagramit të një djalit të ri dhe të talentuar, i cili është në të njëjtën kohë edhe i biri i një kompozitori shumë të madh në Shqipëri. Ai ka punuar me shumë dashuri dhe në çdo sekuencë të filmit, ai është përkushtuar në atë mënyrë që muzika të mos krijojë kërcitje dhe të vriste veshin e teleshikuesit.

Çfarë mund të cilësoni si të veçantë nga ky film përballë produksioneve të tjera konkurruese?

Këtë film e bënte të veçantë fakti që ishte i vetmi pjesëmarrës nga Shqipëria, i një vendi në tranzicion. Madje edhe vetë “Shkallët” është si një lloj metafore e shoqërisë shqiptare po ta marrim në një tjetër këndvështrim.

Sa aktuale është tematika e filmit nën regjinë tuaj, duke pasur të freskët edhe tragjedinë e para pak ditësh në Gjirokastër?

Ajo çfarë kemi parë dhe dëgjuar në Gjirokastër ishte një tragjedi e vërtetë. Tematika që trajtohen në film ka të përbashkëta sepse në fund të fundit këtu hapësirat publike, si dhe ligjet shtetërore duhen respektuar me shumë përpikëri, e kështu kuptohet se kjo tragjedi ishte e lidhur shumë edhe më cilësinë e punimeve. Në lidhje me hapësirat publike po zbuloj diçka (nuk ishte shkruar në skenar, por ishte thjesht një ide në kokë). Kam improvizuar dhe kjo u kap shumë mirë edhe nga përshtypja e pjesëmarrësve të festivalit të vendeve mesdhetare. Të gjithë krijojnë një ide në film dhe nëse flasim për hapësirat publike nuk është fjala vetëm për banesat dhe godinat e banimit. Në një pjesë të filmit unë kam improvizuar në një shesh ku luajnë fëmijët para pallatit në lagjet ku zhvillohet ngjarja, për të transmetuar idenë që nuk ka as sheshe publike dhe nuk mendon askush për të ardhmen e këtyre të vegjëlve. Kjo që sapo theksova është edhe ideja qendrore, sipas meje, pasi gjykimi i tij është dhe mbetet subjektiv në sytë e të tjerëve. Unë kam dashur të nënvizoj faktin se çdo ditë e më shumë po zvogëlohen hapësirat publike, të cilat janë në dobi të të gjithë shoqërisë.

Cilat janë projektet tuaja vijuese?

Konkretisht filmi “Shkallët”, të cilit i është siguruar pjesëmarrja në disa nga festivalet internacionale kinematografike si në Holandë, Gjermani, Spanjë si dhe në Australinë e largët. Veç kësaj, unë jam duke punuar për një projekt i cili shtrihet mbi ide shumë interesante dhe mbi të gjitha universale.

A mund të zbardhni disa detaje lidhur me këtë projekt?

Mund të rrëfej vetëm idenë që do të trajtohet në këtë film, i cili siç e theksova edhe më lart do të jetë një produksion filmik me metrazh të gjatë. Miqësia midis popujve mbetet e përjetshme, pavarësisht se politika kërkon të ndërpresë këto relacione, qoftë edhe me dhunë. Skenari nuk do të jetë sërish nga Artan Minarolli, por dikush tjetër, për të cilin do të flasim më vonë. Veç kësaj do të ketë edhe bashkëpunim me kineastë të huaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›