E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me lyp pare

Në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dje janë diskutuar projektbuxhetet për vitin 2009. Ministria e Kulturës justifikon uljen e buxhetit, Qendra Kombëtare Kinematografike pretendon dyfishin e 2008-s, ndërsa modeste është Akademia e Shkencavei

Për vitin 2009, buxheti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është 34% më i vogël se në vitin 2008. Sipas projektbuxhetit të paraqitur dje para Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, në këmbë të ministrit të Kulturës, Ylli Pangos, zv.ministri Ekrem Spahiu ka deklaruar se për të gjitha zërat që mbulon ministria ka rritje, përveç 10% ulje që i takon investimeve (në vazhdim), krahasuar me vitin 2008.

Rikonstruksioni i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, që për vitin 2008 janë hedhur 380 milionë lekë, si dhe fondi prej 80 milionë lekësh për Bibliotekën Kombëtare, përbëjnë projektet më të mëdha të ministrisë për të cilat në vitin 2009 është parashikuar një fond më i ulët investimi, për shkak se janë projekte në vazhdim.

Po ashtu, ministria po e kursen për vitin 2009 qeverinë sa i takon edhe parave të hedhura në fushën e trashëgimisë kulturore, krahasuar me vitin 2008. Janë këto programe ku justifikohet pse në projektbuxhetin e vitit 2009 është parashikuar një zbritje prej 10%, krahasuar me vitin 2008.

Por, pasi është anashkaluar me të shpejtë gjithë kjo hapësirë programesh që përfshin Ministria e Kulturës, vëmendja e komisionit parlamentar ka qëndruar tek rojet.

Kaq thjesht u thanë gjërat sa gati mori konotacion humoristik. Në të vërtetë, detyrat u caktuan shpejt e shpejt, që deri nesër në orën nëntë pranë Kryesisë së Kuvendit, administrativisht, Ministria e Kulturës duhet të depozitojë një kërkesë për një fond të posaçëm sa u takon rojeve në objektet e trashëgimisë kulturore.

Pra, e gjithë vëmendja iu kushtua kësaj hallke operative, pa argumentuar pse ishte gjithë kjo ngutje. Edmonda Shkezi, drejtoreshë e menaxhimit të buxhetit pranë Ministrisë së Kulturës, e orientoi vëmendjen e njerëzve të Parlamentit, që me shumë naivitet, shënonin se kjo është një domosdoshmëri dhe se patjetër do t’i mbështesnin propozimin për rojet kur të flitej për buxhetin në Parlament.

Shkezi argumentoi në fakt, se sipas ligjit, lejohej që objektet e trashëgimisë të ruheshin nga rojet private, por që propozimet e ardhura kishin një kosto financiare të pallogaritur. Pra, rojet private kërkojnë të paguhen shumë, kështu që “hemorragjia” e objekteve kulturore, si dhe dëmtimi i mëtejshëm i qendrave të trashëgimisë kulturore do të vazhdojë sistematikisht. Kjo është nga ato shpenzime operative që përbën një nga problemet kyçe që ka ministria siç duket në projektbuxhet. Të paktën kjo na u dha të kuptonim, qoftë dhe emergjenca dhe rëndësia që komisioni parlamentar i dha dje këtij problemi. Ndërsa zëra të tjerë u lexuan me të shpejtë nga zv.ministri Spahiu, pa bërë ndonjë efekt tek njerëzit e Parlamentit, si p.sh. pse është dhjetëfish më i madh fondi i parashikuar për art dhe kulturë, sesa për trashëgiminë kulturore - që në fakt më saktë duhet folur, për projektet kulturore, ku aplikojnë lloj-lloj shoqatash e individësh, duke e mjelë ministrinë tamam si një lopë.

Po dje në komisionin parlamentar është diskutuar edhe projektbuxheti i Qendrës Kombëtare Kinematografike, ku drejtori i saj, Xhevdet Ferri, ka kërkuar mbështetjen për të dyfishuar shumën e këtij institucioni që mbulohet direkt nga qeveria.

Ndërsa, ka qenë krejtësisht groteske situata kur vetë anëtarët e komisionit kanë nënqeshur, se duhet të kërkojnë trefishin e buxhetit institucionet pa t’i mbështesin të paktën gjysmën. Ndoshta në këtë praktikë, Ferri, me një respekt të veçantë për këtë komision, u ka kërkuar që nën ndikimin e njerëzve të komisionit parlamentar, buxheti për QKK-në minimalisht të akordohet me shumën prej 250 milionë lekësh, kur në vitin 2008 ka qenë 154 milionë lekë. Këto lekë Ferri i ka kërkuar, duke renditur disa realizime projektesh nga QKK-ja, që për hir të së vërtetës duhet thënë se janë vetëm statistika teorike, ndërsa në praktikë dihet nga të gjithë se vërtet janë 4 projekte filmike që miratohen nga qendra në një vit. Por regjisorëve u janë dashur të paktën tre vite të nxjerrin filmin në dritë dhe se në kinemanë e vetme të kryeqytetit nuk kemi parë më shumë se dy filma në vit, nga çfarë tha Feri, se janë shfaqur 5 filma artistikë e shumë të tjerë si dokumentarë, të animuar, apo me metrazh të shkurtër. Madje, ka nga ata që janë vënë në shënjestër se lekët e QKK-së dhënë për filma, janë futur nëpër bankë, duke vjelë interesa. Këtu bëhet më e pabesueshme fjala e Ferrit kur premton si “sekretar partie”: se paratë e qeverisë janë të pastra, shkojnë për filmin, po kështu dhe mbirja e një festivali veror të filmit ka qenë krejt e pajustifikuar, kur në 2009 pritet të mbahet Festivali Kombëtar i Filmit, që shpesh është folur se do shndërrohet në ndërkombëtar - Prishtina e realizoi më parë këtë gjë.

Nevoja për të kërkuar më shumë para, Ferri e mbështet dhe në një projekt që ka të bëjë me ngutjen e pajustifikuar për ta anëtarësuar Shqipërinë në “Euroimages”, ku konditë janë kinematë, të cilat mungojnë mjaftueshëm në kryeqytet! Pyetja ironike vjen nga vetë njerëzit e Parlamentit: A ia jep paratë Ridvani? Gjithsesi në punët e QKK-së, regjisorët kanë pohuar se Ferri ka qëlluar drejtori më i zoti se gjithë të tjerët. Më të mjeruar kërkesën për mbështetje nga komisioni parlamentar e paraqet Akademia e Shkencave. Kryetari i saj, që ka një ngjashmëri të mahnitshme me ish-kreun, Ylli Popa, ka mundur të përcillet nga anëtarët e komisionit se do ta mbështesin vobektësinë e shkencave tona. Vetëm 4 mijë lekë ka kërkuar Teki Biçoku, aq sa u është dashur anëtarëve të komisionit parlamentar të përsërisin njëzëri: vetëm 4 mijë lekë të reja kërkon? Biçoku ka treguar se pikërisht kaq para ka kërkuar deri tani sa për të botuar Fjalorin Enciklopedik, që mbahet zvarrë prej vitesh. Po gjithashtu ngadalë, plaku i shkencave, Biçoku, ka thënë se u lipsen dhe ca para për konferencat kombëtare e ndërkombëtare, për ca botime të tjera e kështu me radhë, duke treguar se e kanë limituar buxhetin e Akademisë së Shkencave në 25 milionë lekë më pak se në vitin 2008. Pra, është një fond prej 82 milionë lekësh për të mbajtur administratën e akademisë, me ca botime, e konferenca, pasi tani i janë shkëputur të gjitha institutet nga varësia. “Do ta mbështesim nevojën tuaj, pasi është një kërkesë krejtësisht modeste”, ka vërejtur e mahnitur Diana Çuli. Kështu janë përcjellë krejt njerëzit që drejtojnë kulturën nga komisarët e Parlamentit si të ishin në ndonjë bankë, duke kërkuar mbështetje dhe para, herë duke u qarë e herë duke premtuar bëma në institucionet e tyre, po duke mos shmangur dhe servilizmin e dukshëm se u ishin mirënjohës anëtarëve të komisionit për zemërgjerësinë e tyre, për të kërkuar më shumë lekë nga qeveria.

Ndërsa gjithnjë i çuditshëm mbetet fakti pse, me gjithë këto para që hidhen, mbetemi sërish kaq të varfër dhe filmat tanë gjithnjë mbeten në tentativë për t’u listuar në festivale dhe mbeten pa u shfaqur për publikun shqiptar që u jep paratë; pse mbahet gati për dhjetë vite e bllokuar botimi i fjalorit enciklopedik; ministria ngeci tek roja, si kleçka më e rëndë financiare, kur institucionet kulturore që ajo mbulon ankohen për buxhet tepër të vogël, dhe miliona numërohen për projekte që mbijë papritur dhe mbajnë emra arbitrarë të punonjësve të ministrisë, ndërsa për librin, a strategji kulturore flitet për ditë e më pak, për t’i shërbyer financiarisht si vendosës i ekuilibrit midis industrisë dhe krijimit. Kjo do të na kursente mendimin se Ministria e Kulturës vazhdon të funksionojë si fondacion. Dhe mbi të gjitha këto probleme të buxhetit do mund të shihen me kaq seriozitet, kur anëtarët e komisionit parlamentar qanin më shumë hallin nëse do zhvillohej dot seanca në Kuvend, pasi greva e deputetëve më shumë shikohej si shaka.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›