Gratë: Partitë politike dështuan të na përfaqësojnë në listat e 23 qershorit
Tiranë- Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje shpreh shqetësimin që listat shumë-emërore të kandidatëve për anëtaret e ardhshëm të Parlamentit në zgjedhjet Parlamentare të 2013 dështuan në njohjen e rolit të pazëvëndësueshëm të grave në shoqëri dhe nuk respektuan kuotat gjinore të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.
Listat përgënjeshtrojnë retorikën e partive politike dhe angazhimin e tyre për të mbështetur dhe promovuar të drejtat e grave. Shumë nga listat e bëra publike nuk respektuan 30% të kuotave për gratë kandidate dhe nuk i vendosën gratë ne krye te tre emrave ne fillim të secilës listë, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Në fakt, disa nga listat shumë-emërore të partive në qarqe të ndryshme të vendit, nuk përmbanin fare gra kandidate. Edhe shumë nga listat që e respektuan 30% të përfaqësimit të grave në lista i kishin vendosur ato në pozicione të pafavorshme për tu zgjedhur efektivisht,-thuhet në njoftimin zyrtar të shoqatës së grave.
Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste nuk e ka zbatuar kuotën gjinore 30% dhe/ose vendosjen e një gruaje kandidate në tre emrat e parë në listë në listat e 6 qarqeve nga 12.Po ashtu Partia Demokratike nuk e ka zbatuar në listat e 4 qarqeve nga 12, gjithashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim në listat e 4 qarqeve nga 12.
Në deklaratë thuhet se sëbashku me organizata të tjera, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje do vazhdojë të kërkojë që një në tre kandidatë në listat e partive të jetë grua dhe që sanksioni për moszbatimin e këtij kriteri të jetë refuzimi i listave nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.