E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e luftës rrëfehen te “Lugina e vuajtjeve”

Edhe rrëfimet e grave kosovare janë thelbi i shfaqjes “Lugina e vuajtjeve” në regji të Zana Hoxha Krasniqit, që do të shfaqet të hënën në skenën e Teatrit Kombëtar. Shfaqja sjell rrëfimin e grave dhe vajzave me ngjarje nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja dhe përjetimet e tyre gjatë luftës. Ndërkaq, në rolet kryesore do të interpretojnë aktoret kosovare Anisa Ismajli, Egzona Ademi dhe Dardana Mehmeti, të cilave u është bashkëngjitur edhe vokalistja Rona Nishliu. Artistet kosovare interpretojnë rrole të cilat rrëfejnë ngjarje të vërteta, rrëfejnë krimet, humbjen, tmerret dhe shumë vështirësi të tjera të përjetuara nga luftërat ballkanike. “Me historitë e këtyre grave do të ballafaqohemi me të ardhmen e afërt, të rinjihemi me të tashmen dhe të shpresojmë për të ardhmen”, tha Zana Hoxha Krasniqi, regjisorja e shfaqjes. Rrëfimet janë përzgjedhur nga librat “Ana femërore e luftës” dhe “Histori të tmerrit 1998-1999” të autores Sanije Gashi. Dardana Mehmeti rrëfen tregimet dhe ndodhitë e kosovares Saranda Bogujevci, sesi ajo ka humbur pjesën më të madhe të familjes, duke mos lënë anash edhe ndodhitë e tjera të kësaj vajze. Rrëfimet tjera janë të një romeje nga Kroacia dhe të një boshnjakeje. Regjisorja tha se i janë dashur gjashtë muaj kohë për të vendosur për personazhet dhe rrëfimet, ndërsa katër muaj të tjerë për ta vënë në skenë shfaqjen. Aktoret janë lidhur emocionalisht me këto role, për ta shprehur sa më mirë dhembjen e këtyre grave. Premiera e shfaqjes jepet më 13 qershor në Teatrin Kombëtar. Pas premierës në Tiranë shfaqja do të udhëtojë për t’u shfaqur edhe në Shkup, Kroaci dhe në Mal të Zi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›