“Kurora Labe” fitues i festivalit folklorik
Grupi polifonik “Kurora Labe” nga Gjirokastra është fituesi i edicionit të 11- të të festivalit folklorik “I këndojmë Lirisë”, që për tri net u mbajt për nder të figurës patriotike Mujë Krasniqi - komandant Kapuçi. Çmimi kryesor i festivalit sivjet i është dhënë me meritë grupit polifonik nga Gjirokastra, vendim ky i ndarë nga juria profesionale e përbërë nga Zymer Neziri, Muzafere Mustafa dhe Besjana Mehmedi. Juria ka ndarë edhe nëntë çmimet e tjera të festivalit. Vendin e dytë e ka fituar ShKA nga Gjilani, vendi i tretë i është ndarë ShKA-së ”Shqiponjat” nga Medvegja. Kurse grupi më i kompletuar është shpallur ansambli nga Krusha e Madhe, teksti më i mirë është vlerësuar ai i vëllezërve Musaj nga fshati Stapanicë. Zëri më i mirë i festivalit është shpallur ai i këngëtarit Besim Haliti, nga Vushtrria. Derisa çmimin e publikut e fitoi ShKA nga Juniku. Instrumentisti më i mirë këtë radhë i takoi tupanxhiut të Matit nga Shqipëria, kurse vallja më e mirë u zgjodh ajo e grupit nga Librazhdi. Po ashtu juria ka ndarë edhe çmimin e veteranit të Festivalit, që u është ndarë dy rapsodëve Ali Krasniqi e Isë Llapqeva nga komuna e Malishevës. Në skenën e festivalit, të zhvilluar nën patronazhin e Sokol Bashotës, kryetar i komunës së Klinës, kanë performuar mbi 1000 artistë nga mbarë hapësira shqiptare. Ky festival tashmë ka marrë përmasa mbarëkombëtare, duke bërë që në 11 vjetët e fundit më 6, 7, dhe 8 qershor Klina të frymojë art.