Erita, pianistja e re

Erita Qafleshi, nxënëse e shkollës ''Prenk Jakova'' nga Prishtina, u shpall fituese e çmimit ‘Pianisti i ri 2011’. Në natën e dytë të këtij edicioni, i cili është organizuar nga shoqata e pianistëve Bell’arte Kosova, përpos performansave të mrekullueshme që u dhanë nga fëmijët e moshave prej shtatë deri në dymbëdhjetë vjeç, u dhanë edhe shpërblimet e kësaj gare.
Përpos Erita Qafleshit, e cila fitoi çmimin kryesor, me ç’rast u shpërblye edhe nga zëvendësministri i kulturës Hajdin Abazi me plaketën ‘Pianisti i ri 2011’, me shpërblime u ndanë edhe dy nxënës të tjerë.
Çmimi ‘Fahri Beqiri’ i takoi Andi Durakut nga shkolla ''Prenk Jakova'' e Gjakovës, i cili u shpërblye me një plaketë ari nga kompozitori Fahri Beqiri si dhe çmimi solist-interpret, që luan me orkestrën kamertale të Filarmonisë së Kosovës, i takoi Anila Aliut, nxënëse e shkollës së muzikës nga Gjilani. Këtë çmim asaj ia dha Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës.
Ky edicion i ‘Pianistit të ri’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit si dhe nga Filarmonia e Kosovës.