E Diel, 1 Nëntor 2026

"Green Energy" dhe "Marseglia Group" projekt 400 milionë euro për investime në energjetikë

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësues të grupit industrial italiano-shqiptar Green Energy dhe Marseglia Group, i kryesuar nga Presidenti Leonardo Marseglia.

Ata i prezantuan Kryeministrit Berisha projektin e tyre për të investuar në fushën energjetike, pas një studimi 1-vjeçar që kanë bërë në tregun shqipëtar. Ky projekt është i përbërë nga dy pjesë, njëra prej të cilave parashikon ngritjen në Shëngjin të Lezhës të një impianti për prodhimin e energjisë me kapacitet 140 Më, me lëndë të parë vajrat me origjinë bimore dhe shtazore.

Pjesa tjetër e projektit parashikon ngritjen e një parku për prodhimin e energjisë nga era me një kapacitet 290 Më në Balldren të Lezhës. Pjesë e këtij projekti është gjithashtu edhe ngritja e një nënstacioni elektrik që do të shërbejë për shpërndarjen e energjisë së prodhuar në rrjet.

Vlera e këtij investimi arrin në 400 milionë euro, dhe përbën një investim tërësisht shoqëror për ambientin. Përfaqësuesit e këtij grupi të njohur industrial për prodhimin e energjisë së këtij lloji u shprehën gjatë takimit me Kryeministrin Berisha se e morën vendimin për të hyrë me këtë investim të fuqishëm në vendin tonë, për faktin se Shqipëria është shndërruar në vendin me taksat më të ulëta në rajon, ka siguri të lartë për investimet, ka një sistem ligjor mbështetës e nxitës dhe një klimë tërheqëse për biznesin.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha ka falenderuar përfaqësuesit e këtij grupi industrial që zgjodhën Shqipërinë për këtë investim të madh në fushën e energjisë së rinovueshme dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare do të ofrojë shërbim administrativ e rregullues të shpejtë e cilësor për realizimin e këtij projekti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›