Qeveria miraton linjën e dytë të interkonjeksionit me Italinë
- Kryeministri Berisha: Investitorë e shohin Shqipërinë si një superfuqi e vogël energjetike
Duke u ndalur në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha veçoi si të rëndësishëm vendimin për miratimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare me rrymë të vazhduar, të interkonjeksionit Vlorë-Brindizi Jug (Itali).
Duke theksuar se kjo është linja e dytë nënujore që qeveria ka miratuar në një periudhë 4 mujore, Kryeministri tha se investitorët po e shohin Shqipërinë si një superfuqi e vogël energjetike.
“Nuk jam vetëm unë me ambiciet e mia, që projektoj në Shqipëri një superfuqi të vogël energjetike, por edhe investitorët e shohin si të tillë. Kjo është linja e dytë që ne miratojmë në një hark kohor tre-katër mujor, sepse tregu italian është një treg shumë i madh dhe i tillë është edhe ai ballkanik,” u shpreh Kryeministri.