E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron zotin Sejdiu për rizgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Kosovës

Kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas zgjedhjes, i telefonoi Presidentit Fatmir Sejdiu dhe i përcolli urimet më të përzemërta, me rastin e rizgjedhjes së tij në postin më të lartë, si President i Kosovës.

“Zgjedhja juaj në postin më të lartë të Kosovës, si President i saj, është një rast më shumë për t’Ju përcjellë urimet e mia më të përzemërta, Juve, bashkëpunëtorëve tuaj, parlamentarëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Shpreh bindjen time të thellë se vendosmëria, integriteti dhe mençuria juaj, eksperienca e madhe  dhe përkushtimi juaj ndaj qytetarëve të Kosovës dhe çështjes së pavarësisë së saj, do të shpejtojnë pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj”,  u shpreh gjatë kësaj telefonate Kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu e falënderoi shumë ngrohtësisht Kryeministrin e Berisha për urimin e tij të përzemërt, për frymën e bashkëpunimit të ngushtë që ka dëshmuar gjithmonë dhe për përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë  në mbështetjen që  ajo i ka dhënë dhe i jep Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›