"Rrjedhin" në Qafë-Thanë, 5 kg heroinë kapen në Durrës
Trazhgim Sokolaj
Një ngarkesë prej pesë kilogramë heroinë dhe trafikanti i saj kanë kaluar pa shqetësime në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Ngarkesa e lëndës narkotike kishte për destinacion Italinë, ndërsa u zbulua në Portin e Durrësit, pasi kishte hyrë në Shqipëri nga "Qafë-Thana". Në këtë pikë kufitare ka kaluar makina në serbatorin e të cilës ishte fshehur droga, por drejtuesi i automjetit është lënë i qetë ndërsa policia aty nuk ka vepruar. Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi për gjykim me akuzën e trafikimit të narkotikëve, dosjen penale ndaj shtetasit kosovar Sead Qorrolli, i cili u kap tre muaj më parë me 5.1 kilogramë heroinë në Portin e Durrësit. Hetimet për këtë rast kanë treguar se ngarkesa e heroinës kaloi pa u vënë re në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Pas përfundimit të hetimeve, organi i akuzës ka dorëzuar fashikullin hetimor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pritet të fillojë procesi gjyqësor. Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2008, rreth orës 21:30, shërbimet kufitare në Distriktin Detar Durrës kanë futur për kontroll makinën e të arrestuarit, automjetin tip veturë "Opel Astra" me targa BE 577508. Hetimet paraprake sugjeronin se i dyshuari vinte nga Kosova dhe kishte kaluar nëpërmjet Maqedonisë, duke përdorur pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës me drejtim lëvizjen për në Durrës e më pas me destinacion kalimin në Itali pas udhëtimit me traget. "Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën e poshtme të tij është vënë re se në rezervuarin e karburantit në pjesën e majtë, kishte një ndërhyrje mekanike", thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, sapo është konstatuar ndërhyrja, efektivat e policisë kanë bërë zbërthimin e depozitës së karburantit të makinës duke e çarë atë në pjesën e poshtme. Pas kësaj agjentët e policisë kanë gjetur dhjetë pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me letër natribani. Policia thekson se në vendin ku ishin vendosur pakot, ishte hedhur edhe një sasi dheu. Policia ka bërë peshimin e lëndës narkotike, nga ku rezultoi se në pako ishte vendosur 5.124 kilogramë heroinë. Për këtë shkak, më 20 shtator 2008, ora 02:00 është kryer arrestimi në flagrancë i Sead Qorrollit nga Kosova, me qëndrim në Zvicër. Sipas hetimeve ai qëndronte si emigrant në Bernë. Para arrestimit në Portin e Durrësit, ai kishte shkuar në Kosovë te prindërit. Pas një qëndrimi disaditor në Kosovë, i dyshuari është nisur për në Maqedoni dhe më pas kaloi në Shqipëri, ku u arrestua pasi mbante me vete sasinë e drogës. I dyshuari ka pretenduar se nuk ka qenë në dijeni për lëndën narkotike, madje gjatë dëshmisë së tij ka hedhur dyshime ndaj një miku të tij, të cilit i kishte dhënë makinën për t'i bërë një riparim në Kosovë. Por nga hetimet një pretendim i tillë ka rezultuar i pabazuar, pasi i arrestuari e kishte makinën ku u gjet droga në pronësi të gruas së tij dhe me qëllim ka siguruar sasinë e lëndës narkotike. Me qëllim që t'i shpëtonte kontrolleve të vazhdueshme në pikat kufitare të kalimit tokësor për në Itali, ai ka zgjedhur kalimin përmes detit nga Porti i Durrësit.
Trafikimi dhe siguria e kufirit
Siguria e kufijve dhe marrja e masave për bllokimin dhe zbulimin e rasteve të kalimit të narkotikëve, kanë qenë në vëmendjen e vazhdueshme të Ministrisë së Brendshme gjatë viteve të fundit. Edhe organizmat dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë në këtë fushë kanë ndihmuar me programe, trajnime dhe pajisje. Por në realitet, rasti i emigrantit kosovar apo dhjetëra raste të tjera, tregojnë se me gjithë përparimet, siguria e kufijve paraqet probleme sa i përket zbulimit të formave të kamufluara të trafikimit të drogave të forta. Veç bazës së dobët materiale në këtë drejtim, duket se paraqitet problematike edhe situata e implikimit në korrupsion nga punonjësit e policisë në strukturat kufitare.