E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët, të dyzuar për masat e qeverisë: gjysmat pro, gjysmat kundër

Sondazhi Pas miratimit të paketës së fundit

Ndërsa qeveria greke ka miratuar paketën e dytë të masave që synojnë në reduktimin e buxhetit, grekët janë të ndarë në dy grupe të mëdha. Sipas rezultatit të publikuar të shtunën, një ditë pasi mijëra vetë protestuan në të gjithë Athinën kundër vendimit të fundit të qeverisë, 46.6% prej 1944 të intervistuarve i mbështesnin masat e marra nga qeveria, ndërsa kundër tyre ishin 47.9%. Ky sondazh tregon se qeveria do ta ketë të vështirë që të çojë përpara zbatimin e masave me një numër kaq të madh njerëzish që nuk i përkrahin ato. Megjithatë, protestat e fundit, kanë qenë relativisht më të qeta krahasuar me ato të ndërmarra në dhjetor të vitit 2008 në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë, që shkaktuan shumë dëme materiale dhe zgjatën ditë me radhë në përmasa më të mëdha. Sondazhi i së shtunës vjen pasi liderët europianë kanë shprehur besim të premten se masat e reja ishin për momentin të mjaftueshme për të nxjerrë vendin nga kriza e buxhetit, e cila ka tronditur edhe vendet e tjera që përdorin monedhën e euros. Kryeministri grek Papandreu ka marrë deri më tani mbështetje politike, por jo premtime konkrete ekonomike. Sondazhi i kryer nga “Kappa Research” dhe i botuar në një të përditshme greke tregon se grekët janë kundër masave që u kanë prekur mirëqenien në mënyrë të drejtpërdrejtë, si ndaj masave për shtimin e Taksës së Vlerës së Shtuar me 2%, masës së shkurtimit me 30% të bonuseve të sektorit publik dhe ngrirjes së pensioneve. Ndërkaq, po sipas sondazhit, 9 nga 10 persona mbështetën bindshëm uljet e rrogave të larta të zyrtarëve të lartë dhe nëpunësit civilë. Ndërkaq, dy sondazhe të publikuara në fund të shkurtit, para ndërmarrjes së masave të reja fiskale tregonin se qeveria po e përballon krizën në mënyrë të efektshme dhe të drejtë. Sipas analistëve, qeveria ka ende shumë kapital politik pas fitimit të zgjedhjeve të përgjithshme në tetorin e kaluar. Për sa i përket muajve të ardhshëm, analistët janë shumë skeptikë në lidhje me performancën ekonomike të vendit dhe një nga sfidat më të mëdha të Greqisë është edhe rivendosja e besimit që tashmë ky vend e ka humbur në botën e financës kryesisht.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›