Pogradec, mister ekzekutimi me armë i 38-vjeçarit
Një vrasje misterioze ka tronditur qytetin e Pogradecit. Krimi që dyshohet të ketë ardhur pas një zënke të çastit, ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, në shëtitoren e qytetit, jo shumë larg nga komisariati i policisë. Viktima Festim çekiçi, nga fshati Starovë dhe me banim në qytet, është qëlluar me një plumb në kokë, teksa kthehej për në banesën e tij. Për policinë ngjarja mbetet misterioze, si për rrethanat, ashtu dhe për autorësinë. Festim çekiçi mendohet se është qëlluar nga një person i vetëm, i cili ka qenë duke lëvizur përballë me viktimën. Sipas specialistëve të policisë kriminale, vrasja e 38-vjeçarit mendohet se nuk ka qenë e paramenduar, por momentale. Kjo për faktin se viktima është qëlluar në mes të qytetit, duke ecur në këmbë, dhe jo në afërsi të shtëpisë, ku ka rrugica të errëta dhe prania e dëshmitarëve do të ishte e pamundur.
Autorësia për uniformat blu dhe strukturat e krimit që po e hetojnë këtë ngjarje të rëndë mbetet ende enigmë. Viktima Festim çekiçi është gjetur i vdekur në rrugë në shëtitoren kryesore të qytetit buzë liqenit. Policia thotë se ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:30 të së premtes, ndërsa viktima ka qenë duke shkuar për në banesën e tij. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes policia ka arritur në përfundimin se viktima dhe autori janë përballur me njëri-tjetrin në rrugë. Sipas të dhënave, autori mendohet të ketë qenë duke ecur në krahun e kundërt me viktimën dhe nuk ka qenë në ndjekje të tij. 38-vjeçari nga Starova dhe me banim në qytet është qëlluar me një plumb të vetëm në fytyrë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Motivet që e kanë çuar autorin në vrasjen e Festim çekiçit mbeten ende të paqarta për policinë lokale. Për ngjarjen kanë nisur hetimet dhe policia po kërkon zbardhjen e motivit të krimit në disa pista. Paraprakisht policia thotë se krimi mund të ketë ndodhur si pasojë e një zënke banale të momentit, por nuk përjashtohen as pistat e tjera hetimore që lidhen me të kaluarën dhe temperamentin e viktimës. Festim çekiçi, baba i dy fëmijëve, ishte i papunë. Pak momente para ngjarjes ai ka qenë në një pikë bastesh sportive. Sipas policisë, viktima nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale dhe as njihet si person me precedent penal apo problematik. Nga ana e policisë janë shoqëruar të paktën 15 persona që po merren në pyetje për këtë ngjarje dhe për zbardhjen e autorësisë. Burimet policore kanë thënë se dyshohet që autori është person i njohur i viktimës. Për këtë janë marrë në pyetje persona nga rrethi shoqëror dhe të afërm të 38-vjeçarit. Trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga familjarët menjëherë pas ekspertizës mjekoligjore dhe në mesditë është kryer ceremonia mortore.
#