Ndarja - faktor destabilizues
Zyrtarë të qeverisë së Serbisë thonë se do të mbrojnë integritetin territorial të Serbisë, që, sipas tyre, përfshin dhe Kosovën. Prishtina hedh poshtë idenë e ndarjes së Kosovës dhe thotë se një veprim i tillë do të hapte konflikte të reja.
Përfaqësues të qeverisë së Serbisë thonë se në Beograd nuk po flitet për ndarje territoresh në Ballkan. Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Zvonimir Steviq, thotë se Prishtina e Beogradi kanë shumëçka për të biseduar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili, sipas tij, do të jetë në favor të palës serbe. “Ajo që mund të konfirmoj është se politika e Beogradit zyrtar, pra e qeverisë së Serbisë, e Kuvendit të Serbisë dhe e Ministrisë për Kosovën, është e pandryshueshme. Kjo do të thotë që udhëheqja aktuale dhe policia aktuale kanë obligim kushtetues që të mbrojnë integritetin territorial të të gjithë Serbisë, natyrisht me mjete paqësore”. “Me të drejtë, pritet vendim pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbetet të shihet... Për të gjitha problemet që lidhen në relacionin Beograd – Prishtinë duhet ulur dhe biseduar”, thotë Steviq. Komenti i zyrtarit serb vjen pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do të hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe se, siç ka thënë ai, askush nuk është i interesuar për hapjen e saj.
#