E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, 64 shqiptarë, në listën e debitorëve të mëdhenj të shtetit

ATHINE - Në listën e publikuar nga Ministria greke e Financave, mes emrave të 4 152 personave, që i detyrohen shtetit grek një shumë totale prej 14 miliardë e 877 milionë euro, figurojnë edhe emra shqiptarësh. 

Sipas hulumtimeve, janë të paktën 64 shqiptarë, që i detyrohen shtetit grek një shumë të përgjithshme prej 38 milionë e 263 mijë eurosh. 

Rreth 10 shqiptarë kanë shënuar një evazion më të madh nga të tjerët, nga 1 deri 5 milionë euro. 

Në krye të listës ndodhet një shqiptar që i detyrohet shtetit 5 milionë e 200 mijë euro, pasuar nga dy persona me 2 milionë e 700 mijë euro, ndërsa 7 të tjerë me 1 deri 2 milionë Euro, detyrime të pashlyera. 

Pjesa tjetër e shqiptarëve në listen me 64 vetë, detyrohet me shuma më të vogla, por totali është i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për t'i krijuar një “vrimë” të zezë buxhetit të shtetit grek. 

Në listë nuk përfshihen debitorë, të cilët kanë bërë rregullimin e detyrimeve të tyre, për t'i shlyer ato me këste. 

Publikimi i listës nga ministria e Financave hap "dritën jeshile" që zyrat juridike dhe kompanitë e inkasimit, të fillojnë kontrollet ndaj debitorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›