E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Antonis Samaras zgjidhet kreu i Demokracisë së Re

Rreth 550 mijë njerëz votuan dje në Greqi dhe Samaras mori më tepër se 50 për qind të votave që në raundin e parë. Kurse Bakojanis arriti të marrë vetëm 40 për qind, duke pranuar humbjen dhe duke uruar kundërshtarin për fitoren.

Menjëherë pas zyrtarizimit në krye të partisë që doli e humbur nga zgjedhjet e fundit, Antonis Samaras u shpreh se merr përsipër përgjegjësinë për ta udhëhequr partinë drejt një rruge të re dhe do kërkojë unitetin pas humbjes se zgjedhjeve.

58-vjeçari nga Peloponezi ka përfunduar studimet e larta në Harvard për biznes dhe është deputeti më i ri në historinë e parlamentit grek, pasi arriti të ulet në një post të tillë në vitin 1977, kur ishte vetëm 26 vjeç. Pas vitit 1989 ai ka mbajtur poste të rëndësishme, madje ka qenë edhe ministri i Jashtëm më i ri i Greqisë.

Në vitin 1993, pas mosmarrëveshjeve me kryetarin e atëhershëm të partisë, Kostandin Micotaqis, ai krijoi një parti të re të djathtë, por u kthye në gjirin e konservatorëve në vitin 2004, kur Kostas Karamanlis u zgjodh në krye të saj.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›