E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi/ Athina tronditet sërish nga një shpërthim me bombë, 1 viktimë


Një tjetër shpërthim i fuqishëm me bombë ka tronditur Athinën ditën e dielë në mbrëmje. Bomba, e cila ishte vënë afër një shkolle të specializuar për arsimimin e funksionarëve publik, ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve. Të plagosurit janë një grua dhe vajza e saj 10-vjeçare. Sipas informatave të policisë së kryeqytetit grek, shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë trupit të viktimës i janë shkëputur gjymtyrë të trupit.
Autoritetet policore helene pohuan se ende nuk kishin informacione të qarta mbi autorët dhe shkaqet e këtij shpërthimi i cili nuk ishte i paralajmëruar. Policia e zonës direkt pas shpërthimit rrethoi zonën dhe filloi hetimet për ngjarjen e rëndë e cila është në vazhdën e shpërthimeve të shumta që po ndodhin kohët e fundit në Greqi.
Sulmet me bombë janë kthyer në një fenomen të zakonshëm në kryeqytetin grek që nga fillimi i krizës së rëndë ekonomike që e ka përfshirë vendi tonë fqinj që nga viti 2008.
Fillimi i këtyre sulmeve e ka zanafillën gjatë një proteste në muajin dhjetor të vitit 2008 kur forcat e policisë vranë padashje gjatë një manifestimi studentor një adoleshent të pafajshëm. Që nga ajo periudhë sulmet në kryeqytetin grek dhe në shumë qytetet kryesore të vendit nuk kanë patur të rreshtur. Grupe kryesisht të ekstremit të majtë apo edhe atij të djathtë kanë marrë shpesh autorësinë e këtyre akteve të shëmtuara kriminale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›