Greqi, BE ngre dyshime rreth marrëveshjes së partive politike – s’miratohet kredia 130 mld dollarë
Ministrat e financave të Eurozonës kanë hedhur dyshime rreth marrëveshjes të arritur në Greqi, ndërsa po diskutojnë planin për dhënien e kredisë prej 130 miliardë euro për Athinën zyrtare.
Ministri gjerman i financave Wolfgang Shable tha se plani grek nuk është në një fazë ku mund të nënshkruhet një marrëveshje.
Edhe Kreu i Eurogrupit Jean-Claude Juncker tha se ai dyshonte nëse plani grek ishte gati për miratim. “Unë nuk kam arsye për të besuar se do të ketë një marrëveshje definitive këtë mbrëmje”, tha Juncker para fillimit të takimit në Bruksel. Kreu i euro-grupit tha se mund të ketë një marrëveshje gjatë javës së ardhshme, për të dhënë dritën jeshile për dhënien e kredisë për Greqinë.
Ndërkohë shefja e FMN-së Kristine Lagarde dhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi theksuan zhvillimet pozitive në Athinë janë një lajm inkurajues. Dragi tha se të gjitha copëzat e mozaikut do të bashkohen për Greqinë, duke shmangur kështu falimentimin.
Ministri grek i financave Evangelos Venizelos para nisjes për në Bruksel, tha se nuk ishte arritur një marrëveshje e plotë, pasi udhëheqësit e tre partive në koalicion nuk kishin pranuar uljen e pensioneve.
Midis masave që pritet të marrë Athina zyrtare përfshihen reduktimi i pagës minimale me 22%, shkurtimi i pensioneve me 15%, pushimi nga puna i 15000 nëpunësve brenda këtij vitit dhe gjithsej 150 mijë, deri në 2015.
Ndërsa pritet votimi i masave nga parlamenti grek, sindikatat greke të sektorit publik dhe atij privat kanë shpallur një grevë të re të përgjithshme 48 orëshe që do të fillojë prej mëngjesit të së premtes.
...