E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Gjykata e Lartë: Arben Frroku do të ekstradohet në Shqipëri

Arben Frroku do të ekstradohet nga Greqia në Shqipëri. 

Ky është vendimi që mori sot Gjykata e Lartë në Athinë, e cila në këtë mënyrë i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Drejtësisë shqiptare mbi ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. 

Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë u mblodh në 31 maj për t’u njohur me dosjen, pasi avokati grek i Frrokut apeloi vendimin e gjykatës së Selanikut në muajin prill, që urdhëronte ekstradimin e tij dhe të kushëririt Jak Jaku, por vendimi u shpall sot. 

Gjykata e Lartë greke arsyeton se ekstradimi i të akuzuarit do të ndihmojë në zbardhjen e krimit të 24 shkurtit në Tiranë. 

Pas këtij vendimi, transferimi i Arben Frrokut në Shqipëri është vetëm çështje ditësh, por nuk bëhen të ditura detaje të tjera. 

Arben Frroku u arrestua në Selanik natën duke u gdhirë 25 shkurti, disa orë pas vrasjes së kryekomisarit Lamaj në Tiranë. 

Arben Frroku, i cili është edhe kandidat i partisë kristiandemokrate për zgjedhjet e 23 qershorit, nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka paraqitur alibitë e tij për kohën kur ndodhi vrasja. Ai ka deklaruar se arrestimi i tij është bërë për motive politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›