E Diel, 1 Nëntor 2026

PS thirrje emigrantëve dhe studentëve: Mos shisni votën. Do ndëshkoheni me ligj

TIRANË- Partia Socialiste i ka bërë apel të rinjve që jetojnë jashtë vendit dhe emigrantëve që të mos shesin votën në këmbim të në bilete falas për tu kthyer ne atdhe.

Kandidatja për deputete të PS Milena Harito në një konferencë për shtyp akuzoi qeverinë se po shpërndan bileta falas për emigrantët, teksa u ka bërë thirrje këtyre të fundit të mos fotografojnë votën e tyre si dëshmi ditën e votimit pasi do ndëshkohen me ligj. 

“Ne kemi denoncuar pak ditë më parë faktin që trupi diplomatik shqiptar në bashkëpunim me kompaninë ajrore private Belle Air, monopol i Lulzim Bashës, ofrojnë bileta falas për emigrantë e studentë shqiptarë me kusht që ata të votojnë për kryeministrin në ikje dhe ta provojnë këtë duke e fotografuar votën e tyre. PS u bën thirrje studentëve dhe emigrantëve të mos hipin në avionët e korrupsionit elektoral. Të mos e shesin votën për një udhëtim falas me kompaninë që nxjerr paratë e këtyre udhëtimeve nga çmime skandaloze që u vë shqiptarëve. Të mos pranojnë fotografimin e votës për një udhëtim falas. Vëzhgimi do të jetë shumë i rreptë në çdo qendër dhe kush fotografon votën do të kapet dhe ndëshkohet sipas ligjit. Duhet ta kini të qartë se një biletë falas për të takuar prindërit, nuk i shpëton ata prindër nga rrënimi i vendit të tyre. Një biletë falas nuk e shpëton ekonominë familjare të prindërve dhe të afërmve tuaj që jetojnë këtu në Shqipëri nga varfëria dhe skamja dhe shkatërron të ardhmen e tyre në Shqipëri”, tha Harito.

Harto tha se asgjë nuk do e ndryshojë rezultatin e 23 qershorit, pasi “shqiptarët duan rilindje do apo nuk do Sali Berisha dhe makineria e tij” 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›