E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papadhimos merr mbështetjen e liderëve politikë

ATHINE - Kryeministri grek Lukas Papadhimos deklaroi sot se ka mbështetjen e partive kryesore për qendrimet e Athinës zyrtare në negociatat me BE dhe FMN. 

"Me udhëheqësit politikë ne jemi në konvergjencë absolute për vazhdimin e negociatave dhe pozicionet që ata mbështesin," tha kryeministri Papadhimos pas takimit gati tre orësh me krerët e partive që mbështesin qeverine e tij. 

Përpara samitit të BE që do të mbahet nesër në Bruksel, Papadhimos theksoi seriozitetin e rrethanave dhe rëndësinë e bashkimit të forcave politike për të përballuar situatën. 

“Negociatat nuk janë të lehta. Megjithë progresin e bërë në stabilizimin e ekonomisë, pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme dhe sakrificave të mëdha të qytetarëve, shmangia nga objektivat dhe vonesat në zbatimin e politikave të caktuara, kanë bërë që partnerët të kërkojnë kufizime dhe kushte të tjera. Me liderët politikë jemi në konvergjencë absolute për vazhdimin e negociatave. Ne kërkojmë një marrëveshje me partnerët tanë për të rikthyer besimin, rritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës. Uniteti i forcave politike dhe angazhimi i tyre për mbështetjen e nevojshme të ndryshimeve është besueshmëria e domosdoshme, për të rritur efektivitetin e politikës ekonomike dhe të na lejojë për të negociuar në kushte më të favorshme”, deklaroi Papadhimos, pas takimit që pati sot me liderët e partive kryesore në vend, Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›