E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në Boboshticë, shpallet në kërkim Naum Disho

KORCE-Prokuroria e Korcës lëshoi sot në mbrëmje një urdhër-arresti për Naum Dishon, kreu i OMONIA-s në këtë qytet, ndërsa policia e shpalli person në kërkim të pandehurin kryesor për skandalin tek varrezat në Boboshticë.

Policia konfirmoi se mori nga prokuroria urdhër-arrestin për Dishon dhe tentoi realizimin e këtij urdhri, por pas kërkimeve nga efektivët, rezultoi se Disho është larguar në drejtim të paditur.
Policia sot shpalli në kërkim Dishon që u dënua me 1 vit burg nga gjykata e faktit të Korcës për shkak të shkatërrimit të varrezave shqiptare më qëllim ngritjen e një memoriali në kujtim të ushtarëve grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë luftës italo-greke.

Më 27 Janar, Gjykata e Faktit në Korcë rrëzoi kërkesën e bërë nga pala mbrojtëse për mos-arrestimin e kreut të OMONIA-s Naum Disho, deri në shqyrtimin e cështjes nga Gjykata e Lartë. Në seancë, mbrojtja paraqiti disa prova në mbështetje të kërkesës së tyre, një prej të cilave edhe një raport mjekësor për gjendjen jo të mirë shëndetësore të kreut të OMONIA-s.

Të gjitha këto u hodhën poshtë nga gjykata, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për ekzekutimin e vendimit për dënimin me 1 vit burg të kreut të OMONIA-s.
Tashmë pala mbrojtëse ka 10 ditë kohë për kalimin e cështjes në Gjykatën e Apelit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›