E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Parlamenti “bekon” qeverinë “Papandreu”

Kryeministri Jorgos Papandreu  mori mbështetjen e 160 deputetëve të PASOK-ut, që ka shumicën në parlamentin me 300 vende.

 Kundër votuan 140 deputetët e opozitës. Sipas traditës, votëbesimi për qeverinë filloi në mesnatë. Papandreu dhe qeveria e tij duhet të kalojnë krizën financiare, të ripërtërijnë ekonominë dhe të luftojnë korrupsionin. "Do të jetë e vështirë, por unë jam optimist", tha Papandreu para votimit. "Gjatë katër viteve të ardhshme do të japim më të mirën tonë.

Ky mandat na u dha nga populli. Kemi borxhe të mëdha, konkurencë të dobët dhe fonde të shkrira të sigurimit", shtoi ai. Kryeministri premtoi një plan për stabilizimin e ekonomisë me vlerë tre miliardë euro, tatime më të larta për të pasurit dhe më shumë ndihmë për të varfërit. Sipas parashikimeve zyrtare, ekonomia greke do të shënojë rënie prej 1,5 për qind, me një papunësi në rritje dhe probleme sociale.

Ministri i Financave, Jorgos Papakonstantinu deklaroi se deficiti do të tejkalojë 10 për qind të prodhimit vendas. "Huaja e përgjithshme publike do të rritet deri në 300 miliardë euro në vitin 2009 dhe do të arrijë vlerën më të lartë në Bashkimin Evropian", tha Papakonstantinu para parlamentit.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›