E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi: Qeveria merr masat antikrizë, ul pensionet 20%

Pas përfundimit të bisedimeve me monitoruesit e trojkës kredituese, qeveria e Greqisë zgjeroi masat e shtrëngimit të ekonomisë për të garantuar lëvrimin e këstit të radhës 8 miliardë euro, që i jep shansin të paguajë detyrimet e saj në mesin e muajit tetor. Pas mbledhjes së kabinetit, qeveria e Papandreut vendosi të ulë me 20% pensionet e larta, të ulë me 30 mijë numrin e të punësuarve në sektorin publik, uli dyshemenë për tatimin mbi të ardhurat dhe zgjeroi bazën për pagimin e taksës mbi pronën. Tashmë në javën e ardhshme pritet që Athina të vizitohet nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të bërë një vlerësim të punës. Në të njëjtën ditë, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se bankat në Europë duhet të rikapitalizohen, pasi ekspozimi i tyre ndaj krizës ka arritur në 300 miliardë Euro. Europianët kanë ndryshuar qëndrimin ndaj krizës së borxhit sovran dhe, në takimin me presidentin Obama, presidenti francez Sarkozy dha garanci se Europa do të zgjidhë krizën e saj. Ndërsa Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy përjashtoi mundësinë e falimentit të Greqisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›