E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, lista e 24 mijë fituesve për të gjithë vendin

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-09-2011 11:53

Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht listën përfundimtare të 24 mijë fituesve të universiteteve sipas degëve të fakulteteve në të gjithë vendin. Në këtë listë janë evidentuar edhe 3419 maturantët që nuk ishin shpallur fitues gjatë fazës paraprake, dhe që u ka lindur kjo e drejtë falë vendeve të mbetura bosh pas përfundimit të regjistrimeve paraprake. Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike, do t’u dorëzohen universiteteve, në datën 24 shtator nga MASH, ndërkohë që universitetet duhet t’i afishojnë ato brenda datës 25 shtator. Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare të fituesve janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Ndaj këta kandidatë duhet të tërheqin dosjen individuale me dokumentet përkatëse nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe të regjistrohen në programin e studimit, në të cilën janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Ndërsa, kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen. Sipas afateve të vendosura nga MASH, sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26-30 shtator, prej orës 8.00 deri në orën 18.00, do të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve të përcaktuar më sipër si dhe do të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve të shpallura nga MASH-it. Ndërkaq edhe për këtë fazë, veprimet e çregjistrimit paraprak dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj do të dokumentohen në një regjistër të veçantë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur një preferencë më lartë kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, në regjisitrin e veçantë. Me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, universitetet do të dorëzojnë deri në datën 30 shtator 2011, në MASH listat përfundimtare origjinale me regjistrimet e kryera për çdo program studimi. Pas kësaj date, universitetet do të raportojnë në Ministrinë e Arsimit vendet e mbetura bosh nga faza e regjistrimit përfundimtar dhe kërkesat për rishpërndarjen e tyre. Me marrjen e këtyre të dhënave MASH do të bëjë publikimin e vendeve të paplotësuara në universitete, për të cilat maturantët jofitues do të aplikojnë nëpërmjet Formularit A3. Aktualisht, MASH bën të ditur se janë 1354 vende, kuota, të cilat nuk janë preferenca të përzgjedhura nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Sipas MASH, këto kuota mund të jenë kontigjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve.

Dokumentet e regjistrimit

Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave.

Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore).

Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.

Dy fotografi.

Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë paguar për llogari të universitetit, në një nga bankat e nivelit të dytë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›