E Diel, 1 Nëntor 2026

Forbes: Kriza, Greqia të ndjekë shembullin e Shqipërisë për taksën e sheshtë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 23-09-2011 12:06

Taksa e sheshtë, revolucion i sistemit fiskal shqiptar. Forbes gjykon se e vetmja rrugëdalje nga kriza për Greqinë është të marrë shembullin e Shqipërisë, duke aplikuar në mënyrë urgjente taksën e sheshtë. Forbes në një editorial të botuar në Forbes.com, duke analizuar krizën greke e ka këshilluar shtetin në krizë të bëjë shkurtime në sektorin publik, aplikimin e taksës së sheshtë, si vendi fqinjë Shqipëria, dhe të privatizojë një numër të madh asetesh publike. Në këtë mënyrë, Forbes vlerëson ekonominë në rritje të Shqipërisë dhe suksesin e sistemit të saj fiskal, duke aplikuar taksën e sheshtë, e cila vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 i ka sjellë arkës së shtetit 16 miliardë lekë. Shqipëria është vlerësuar për revolucionin e taksës së sheshtë nga shumë raporte ndërkombëtare dhe agjenci ndërkombëtare lajmesh. “Gjermania dhe Franca po pret duke survejuar krizën e borxheve në Europë. Por menaxhimi i situatës së krizës do të jetë shembulli i një libri të ndrojtur, i një mendjeje të errët, i një lidershipi intelektualisht të mbaruar. Gjermanët në mënyrë të veçantë, kanë marrë iniciativën për të gjetur rrugën më të lehtë për të lëshuar para te debitorët e rrezikshëm, me shpresë që problemi do zhduket mrekullisht. Ata kanë refuzuar të përballen me faktin që Greqia ka neglizhuar dhe që Portugalia, Spanja dhe Italia janë pranë lëshimit.”- citohet në editorialin e Forbes-it. Sipas Forbes-it, thembra e Akilit në këtë problem qëndron se çfarë do t’i shkaktojnë borxhet sovrane bankave të dobësuara të Europës, veçanërisht atyre në Francë. Forbes e cilëson të dështuar politikën e autoriteteve të Europës dhe SHBA në lidhje me zgjidhjen e krizës. “Ilustrim për këtë janë 700 bilionë $ e paketës parashute, e cila ka të bëjë me programin e çlirimit të aseteve të shqetësuara. Ideja ishte t’u blije bankave asete të shpëtonin ato banka që ishin të trembura. Autoritetet mendonin se kjo gjë ishte e pamundur për dy arsye: 700 bilionë dollarë ishte një shumë e papërshtatshme për t’u lidhur me magnitudën e problemit, dhe gjithashtu ishin probleme të ndryshme politike që lidheshin me mënyrën sesi asetet do të vlerësoheshin”, shpjegon Forbes. Sipas tij, “Washingtoni vendosi një zgjidhje, e cila ishte të pompojë para në banka si kapital i drejtë. Urra! Çdo dollar do të suportojë 10 dollarë borxh. Kështu që 700 bilionë përkthehen në 7 trilionë dollarë.”- analizon Forbes. Sipas tij, në vijim të analizës, të armatosur me kapital të ri, zyrtarët dhe rregullatorët do të mbyllin disa banka të mëdha, pa patur frikën se kështu mund të shkaktojnë efektin domino përmes sistemit monetar. Sipas Forbes-it, për Europën kjo praktikë mund të jetë zgjidhje jo e mençur, meqënëse bankat atje, veçanërisht në Francë, tashmë janë në pozicion komod me qeverinë. Nuk duhet një fantazi e madhe, sipas Forbes, të godasësh Stabilitetin Financiar Europian. Banka Qendrore Europiane e ka humbur sensin e parave duke blerë bonde. Sipas Forbes, ndonjë bankë e dobët e vërtetë mund t’i ndajë ato në banka të mira dhe banka të këqija. “Problemet me borxhet të disa prej vendeve të Bashkimit Europian nuk mund ta dobësojnë euron. Nëqoftëse Greqia nuk paguan, kjo bie mbi kreditorët, por kjo nuk infekton monedhën e re aspak. Paraja është një mënyrë e thjeshtë që njerëzit e përdorin për transaksione me njëri-tjetrin. Vende si El Salvador dhe Panama përdorin dollarin si monedhë legale. Nëqoftëse ata refuzojnë borxhet e tyre, kjo nuk do të thotë fundi i dollarit amerikan. E vetmja gjë që mund të vrasë monedhën është printimi me shumicë i saj nga Banka Qendrore. Në muajt e ardhshëm euro duhet të bëjë atë që bën Zvicra tradicionalisht: të konvertohet me ar.”- citohet në analizën e Forbes, i cili këshillon Greqinë se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza është të marrë shembullin e Shqipërisë për të aplikuar taksën e sheshtë dhe të shesë asetet publike, në mënyrë që të shtojë të ardhurat në arkën e shtetit në krizë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›