E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Vollos, krijohet dega e LSI

GREQI Procesi i organizimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim është shtrirë edhe jashtë vendit. Në këto kushte, dje në Vollos të Greqisë është krijuar dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë takim të parë mori pjesë dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe deputeti Vangjel Tavo. Gjatë fjalës Meta vlerësoi rëndësinë që ka organizimi politik i LSI-së në diasporë, duke i cilësuar këto organizime si vazhdimin e një komunikimi më të drejtpërdrejtë mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe forumeve politike në Shqipëri. “Qëllimi im kryesor por edhe i kolegëve të mi në LSI është t’u ofrojmë shqiptarëve një politike ndryshe, t’u ofrojmë besim, përkushtim dhe profesionalizëm në politikë dhe qeverisje”, - tha ai. Më tej, kryetari i LSI-së u ndal dhe në proceset në të cilat ndodhet aktualisht Shqipëria, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë atë të liberalizimit të vizave si arritje historike për të gjithë shqiptarët. Meta foli edhe për reformën zgjedhore, duke u ndalur tek vota e emigrantëve. “LSI është shumë e interesuar që shqiptarët kudo ku janë, të gëzojnë të drejtat e tyre, veçanërisht emigrantët që mbajnë dhe një barrë të madhe ekonomike duke ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri. LSI i ka dhënë një vend të rëndësishëm në programin e saj politik integrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse, duke filluar me marrjen e statusit legal të tyre”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›