E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kurban”, Rama: Saliu e ka lexuar, ndërsa Iliri nuk lexon libra

Rama në Sarandë: “Kryetari i Bashkisë së Sarandës ka marrë shuplaka nga një gjykatë e mirëfilltë kriminale. Është bandë e mirëfilltë kriminale. Një organizatë mafioze me qëllim fitimi, që operon me vendime që janë turp i turpit të çdo drejtësie dhe të çdo shkolle apo klase”

SARANDË Në turin e promovimit të librit të tij “Kurban”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është ndalur dje në qytetin e Sarandës. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Rama u shpreh se në këtë libër, ai ka personazh Shqipërinë jo vetëm si është, por në faqet e “Kurban” ai shprehet se gjendet edhe vizioni i tij për një rilindje të re shqiptare. “Në libër është Shqipëria ashtu siç e shoh, si mund të ishte dhe si mund të bëhet. Në këtë libër është personazh edhe Saranda. Në Shqipëri dhe në Sarandë nuk ka shtet, ka rënë trau kryesor i një shoqërie demokratike, që është drejtësia. Drejtësia është dorëzuar përpara etheve për para”, - u shpreh Rama ndër të tjera. Gjatë këtij takimi, Rama ka theksuar gjithashtu se ndërtimet pa leje në këtë qytet janë pjellë e një vizioni obskurantist që i ka rrënjët te qeverisja qendrore: “Veprimtaria pa leje është pjellë e një vizioni obskurantist të atyre që qeverisin Shqipërinë”. Duke i shkuar më thellë problemit të këtij qyteti, Rama ka shtuar se “kryetari i Bashkisë së Sarandës ka marrë shuplaka nga një gjykatë e mirëfilltë kriminale. Është bandë e mirëfilltë kriminale. Një organizatë mafioze me qëllim fitimi, që operon me vendime që janë turp i turpit të çdo drejtësie dhe të çdo shkolle apo klase, ku këta dallkaukë kanë marrë aq mësime sa kanë marrë për drejtësinë. Tomat dhe Sashenkat, edhe këtu në Sarandë veprojnë me të njëjtin brutalitet. Ky sistem drejtësie po denigron dhe shkatërron trupin fizik të Shqipërisë dhe trupin moral të shoqërisë sonë”. Kryetari i PS-së është pyetur nga bashkëbiseduesit edhe për deklaratat e kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për librin e tij. “Saliu është për të ardhur keq, se e ka lexuar librin dhe bën sikur nuk e ka lexuar. Ndërsa Ilirin, e besoj që nuk e ka lexuar librin. Iliri e ka me librat në përgjithësi dhe do ishte stërmundim t’i kërkoje ta lexonte, se ai nuk lexon libra”, - u përgjigj Rama. Kryetari i PS-së komentoi dje edhe sheshin “Skënderbej” “Tirana, sot është i vetmi kryeqytet që kishte shesh dhe e bëri kodër. Ndërkohë Skënderbeut, sheshin ia bënë kodër, ndërsa kodrën në shtëpinë e tij ia bënë shesh për çimenton”, – u shpreh Rama. Ai e cilësoi qeverisjen e sotme si një qeverisje me një vizion aspak qytetar. Më herët gjatë ditës së djeshme, kryetari i PS-së i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ka qenë në Xarrë, një komunë të cilën vetë lideri i opozitës shumë shpesh e ka cilësuar si modelin e zhvillimit për fshatin shqiptar. Rama në ‘Twitter’ për ndjekësit e tij dha këtë koment pas vizitës në këtë komunë: “Paraditja në Xarrë, ku sapo ka mbaruar vjelja e mandarinave. 8 mijë ton për Shqipërinë e Kosovën!”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›