Samiti i Katarit, Topi: Feja e shqiptarit është shqiptaria
KATAR Në ditën e dytë të vizitës së tij në Katar, gjatë punimeve të Forumit të 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u shpreh krenar për historinë dhe kulturën e lashtë të Shqipërisë, si dhe për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet feve të vendit tonë. “Këto monumente shpirtërore të ekuilibrit tonë kombëtar nuk janë vënë asnjëherë në dyshim dhe dëshmojnë se një bashkëjetesë e denjë kulturore dhe ndërfetare mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin. Ne jemi një popull, i cili e ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme, që prej paganizmit e deri në ditët tona, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar e që bëri të mundur përjetësimin e tij në fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, - tha ai. Presidenti i Republikës theksoi se për shumicën e shqiptarëve, Aleanca e Qytetërimeve përbën një realitet të prekshëm. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit ka theksuar gjithashtu se Shqipëria ka ndjekur dhe ndjek një politikë parimore në të mirë të paqes e sigurisë globale. “Ajo ka marrëdhënie shumë të mira me SHBA-në, vendet e Bashkimit Europian, me vendet fqinje, vendet arabe etj...Faktori shqiptar, i pranishëm në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, po luan një rol stabiliteti e sigurie, me frymë bashkëpunimi dhe ndërkëmbimi politik, ekonomik e kulturor, pasi ne thellësisht besojmë se në këtë mënyrë mund të kontribuojmë në kapërcimin e mentaliteteve konfliktuale, drejt zvetënimit të nacionalizmave politiko-historike, për një të ardhme e mirëqenie më të mirë të popujve tanë, një frymë kjo që po përçohet pozitivisht edhe nga shteti më i ri në rajonin tonë, Republika e Kosovës”, - tha ai. Po dje Topi zhvilloi një takim edhe me Emirin e Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani.