Fatos Nano: Oferta ime qëndron, po punoj të jem President i ardhshëm
TIRANË Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, shfaq sërish ambicien e tij për president të ardhshëm. Në një intervistë për “TCH” nga Londra, ku është i ftuar nga Instituti Europian i Shkollës Ekonomike të Londrës, Fatos Nano deklaron se është i vëmendshëm nga të dyja kampet për të gjetur partnerët, me qëllim që ai të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar si president.
“Unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane...”, - i përgjigjet Nano pyetjes se gazetarit nëse do të garonte për postin e Presidentit. Ndryshe nga çdo herë tjetër, Nano shfaqet i kujdesshëm në intervistën e tij lidhur me përgjegjësitë që kanë forcat politike për statusin e vendit kandidat, por në të njëjtën kohë nuk lë hapësirë tjetër mendimi nga ajo që ekziston në fakt mbi marrëdhëniet e ndera që ai aktualisht ka me PS-në. Për këtë arsye, Nano kërkon rivendosjen e marrëdhënieve normale me PS-në. “Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit”, - tha ai
Z.Nano, mirë se vini sërish ekskluzivisht pas disa vitesh në Top-Channel, dhe kam përshtypjen se kohët e fundit jeni disi i tërhequr nga politika aktive. Është ky një vendim apo është thjesht një parapërgatitje për ndoshta një hap tjetër më të madh?
Mirë se ju gjej dhe besoj se ka një domethënie të njohur edhe për publikun që Top-Channel dhe z.Nano takohen në Londër. Më lejoni të them që është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare. Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen dhe të gjejnë e rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyç të rrugës së saj drejt Europës së Bashkuar, kur edhe Europa ka problemet e saj.
Z.Nano, kam përshtypjen se kohët e fundit keni një fjalor disi më të kujdesshëm, më asnjanës, si një farë presidenti në pritje. A e keni vendosur, do të konkurroni zyrtarisht për postin e Presidentit të ardhshëm?
Unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Europian nisën të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Dhe jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit.
Z. Nano, edhe në samitin e fundit në Bruksel nuk është se pati ndonjë zhvillim në fushën e integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që kryeministri Berisha thotë se fajin për gjithçka e ka opozita. Ju jeni i të njëjtit mendim si z.Berisha, se fajin më shumë e ka opozita?
Unë besoj se jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit.
Kush ka më shumë faj nga të dyja palët, z.Nano?
Ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ. Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Europë. Duhet të gjithë të vendosin duart në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë në mjedisin e ngarkuar me shumë probleme që edhe Bashkimi Europian i ka sot.
Z. Nano, si i keni marrëdhëniet me gjysmën tjetër të familjes politike, me Partinë Socialiste dhe me z. Rama; të përkeqësuara, irelevante apo inekzistente?
Kjo është e njohur. Unë nuk mund t’i shtoj ndonjë gjë të veçantë. Nuk bëhet fjalë për një reagim personal ndaj një investimi shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisje me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare. Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, të cilët do të përshpejtonin procesin e integrimit.
Z.Nano, ka shumë njerëz që ndoshta po e ndjekin këtë intervistë dhe mund të mendojnë se përsëri z.Nano, klasa e vjetër politike do të na drejtojë ne edhe pas dy dekadash e ca pluralizëm. Ju, si do u përgjigjeshit këtyre njerëzve, pasi kam përshtypjen se nuk ka ndonjë vend në Europën Lindore, që ata drejtues që e filluan procesin e demokracisë të vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në pushtet ose të aspirojnë siç po aspironi edhe ju?
Nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Madje edhe në produksionet e Hollivudit vlerësohen më shumë aktorët me eksperiencë, të cilët vërtet tërheqin publikun. Besoj se këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës dhe ideve që çojnë vendin përpara. Dhe sidoqoftë, le ta konsiderojmë si një shenjë vitaliteti. që Shqipëria vazhdon të përtërihet duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave.
Intervistoi: Arben Manaj/ Top Channel
Për të qëndruar në politikë
“Nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Madje edhe në produksionet e Hollivudit vlerësohen më shumë aktorët me eksperiencë, të cilët vërtet tërheqin publikun. Besoj se këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës dhe ideve që çojnë vendin përpara. Dhe sidoqoftë, le ta konsiderojmë si një shenjë vitaliteti, që Shqipëria vazhdon të përtërihet duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave”