E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, aleatët: Jo prerje të reja në paga dhe pensione

Ka dështuar në qëllimin e tij për finalizimin e paketës së kursimit të 11.5 mld euro, për dy vitet e ardhshme, takimi i liderëve të partive që mbështesin qëverinë greke, ndërkohë që vazhdon presioni i Treshes për të marrë masa të reja. 

Trojka do të zgjasë qëndrimin e saj në Greqi dy javë, për të ushtruar presion mbi palët bashkëqeverisëse dhe aktorët socialë që të pranohen masat e reja të vështira, në mënyrë që të përshpejtohet dhënia e këstit të ardhshëm të 31.5 miliardë euro. 

Kreu i PASOK dhe i DIMAR këmbëngulin që qeveria të mos vendosë të shkurtojë pagat dhe pensionet. Ata argumentuan se duhet të ketë një diskutim të qartë me Trojkën, për faktin se "programi nuk është realizuar" dhe se "duhet të jepet mundësia e zgjatjes së tij deri në vitin 2016”. 

Të dy udhëheqësit shpresojnë se nëse tani zbatohen masa të tilla si reforma, ndryshime strukturore, privatizime, luftë ndaj evazionit fiskal, këto do të japin kohë për rritjen e ekonomisë greke, që vendi të arrijë qëllimet financiare pa shkurtime të mëtejshme në pagat dhe pensionet. 

Sipas Venizelos dhe Kouvelis në takim nuk është diskutuar për masa specifike, ndërsa ministri i Financave tha se takimi shkoi shumë mirë dhe të gjithë pajtohen që duhet të gjejnë rreth 11.5 miliardë kursime për 2 vitet e ardhshme. 

Në përfundim, tre udhëheqësit politikë ranë dakord të takohen përsëri brenda ditëve të ardhshme. 

Mediat greke shkruajnë se edhe pse asnjë palë nuk e pranon zyrtarisht, nëse mosmarrëveshjet midis partnerëve nuk tejkalohen shpejt, ka gjasa të shkaktohet kriza e parë e brendshme në qeveri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›