E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ankth për rezultatin e votimit sonte në Parlament

ATHINË- Ankthi sa vjen e rritet për rezultatin e votimit që do të zhvillohet sonte në mesnatë në parlament.

Të gjithë presin me interes fjalimin e kryeministrit Jorgos Papandreu, për të cilin thuhet se është gati të paraqesë një program të veçantë, që do të çojë në formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar.

Sot për Papandreun situata është tepër kritike, në një parlament ku ka përballë një opozitë që kërkon largimin e tij nga kreu i qeverisë, por edhe për shkak të grupit të tij parlamentar PASOK, deputetë të të cilit janë shprehur se nuk do ta votëbesojnë qeverinë. Kujtojmë se PASOK ka për momentin 152 deputetë në parlamentin me 300 vende.

Që të marrë besimin, qeveria duhet të votohet nga shumica absolute e deputetëve të pranishëm në sallë, pra 151 vota nëse në sallë janë 300 deputetë, dhe nëse mungon opozita, qeveria duhet të votohet nga jo më pak se 120 deputetë.

Deputetet Janaka, Kaili dhe të tjerë që kishin deklaruar se nuk do ta japin votën, sot thanë se kushtet kanë ndryshuar dhe do e rishikojnë qëndrimin e tyre, cka nënkupton se do ta votojnë qeverinë.

Papandreu ka kërkuar votëbesim të qeverisë së tij, duke premtuar se do nisë punën për qeverinë e përkohshme, që do krijojë kushtet për ratifikimin e marrëveshjes, e cila t’i hapë rrugën këstit të 6 të ndihmës dhe të përgatisë vendin për zgjedhje.

Askush nuk mund të thotë asgjë me siguri për atë që do ndodhë sonte në mesnatë, po të kemi parasysh zhvillimet e befta të ditëve të fundit, por shumë besojnë se qeveria e Papandreut do ta marrë sot votëbesimin, në mënyrë që të ecet përpara me krijimin e një qeverie kalimtare, ashtu sic ai vetë deklaroi mbrëmë në parlament.

Por edhe sot kryetari i Demokracisë së re përsëriti se s’ka asnjë diskutim për qeveri të përkohshme
me Papandreun kryeministër.

Nëse qeveria nuk e merr votëbesimin sot, atëherë Greqia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke hyrë në një rrugë të rrezikshme, sepse nuk do ratifikohëj marrëveshja e kredisë dhe për pasojë nuk do autorizohej lëvrimi i këstit të 6 të ndihmës, për të cilin nevoja është mëse emergjente.

Ndërkaq pak orë para votimit Gjermania e dha ultimatumin e fundit. “Qeveria gjëermane do presë vetëm pak ditë për të parë lëvizjet e Athinës zyrtare. Të dyja partitë duhet të votojnë marrëveshjen, në të kundërt mospranimi do shkaktonte dalje nga Eurozona”, tha pasdite një përfqësues i qeverisë gjermane, ndaj zhvillimet e mbrëmjes në parlament janë tepër domethënëse.
(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Venizelos: Sot na duhet votëbesimi, për qeverinë e koalicionit Greqia, cështja e parë në median ndërkombëtare Greqi, Junker: Nuk ju ndihmojmë dot, nëse nuk dëshironi Papandreu anulon referendumin: Opozita do votojë marrëveshjen Greqi, Samaras: Me Papandreun nuk ka konsensus

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›