Greqi, arrihet marrëveshje me Trojkën për këstin e radhës
Qeveria e Greqisë arrin marrëveshje për marrjen e këstit të radhës të parave nga huadhënësit e saj ndërkombëtare.
Sipas marrëveshjes me Trojkën deri në fund të vitit, pritet të pushohen 5000 mësues dhe 3500 punonjës të policisë bashkiake. Më pas do të pezullohen 2500 punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe 1500 punonjës të qeverisjes qëndrore.
Kështu plotësohet kushti i ekspertëve të Trojkës për 12,500 pushime nga puna, brenda këtij viti, ndërsa këtij numri do t’i shtohen edhe nëpunësit e kanalit televiziv ERT, që nuk do të punësohen në organizmin e ri, që ende nuk është krijuar në Greqi, duke plotësuar numrin prej 15,000 pushimesh nga puna, që i është vënë Greqisë si kusht, deri në fund të vitit 2014.
Athina ka bërë përpjekje të mëdha për të marrë këstin e radhës prej 8,1 miliardë euro, një prej injeksioneve të fundit nga paketa e ndihmës prej 240 miliardë euro, që ajo po merr prej 2010-s nga BE, FMN dhe BQE.