E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, bankieri Lukas Papadimos ka gjasa të zëvendësojë Papandreun

ATHINE-Bankieri Lucas Papademos, ka të ngjarë të jetë pasuesi i kryeministrit Jorgos Papandreu, duke u vënë në krye të qeverisë për të nxjerrë qeverinë nga kriza.

Me shumë gjasë Evangelos Venizelos, do të mbajë sërish postin e ministrit të Financave.

Marrëveshja për të formuar një qeveri të koalicionit, për të zbatuar vendimet e 26 tetor dhe më pas menjëherë zhvillimin e zgjedhjeve, u arrit mbrëmë në takimin që Jorgos Papandreu dhe Antonis Samaras, patën në zyrën e presidentit të Republikës Karolos Papulias.

Thuhet se të dy liderët politikë kanë vendosur tashmë kontaktet me personin që do të kryesojë qeverinë e re, ndërkohë që Papandreu ka dhënë sigurinë se do të japë menjëherë dorëheqjen.

Marrëveshja e arritur dhe e vulosur para Presidentit të Republikës Papulias, në një takim që zgjati pak më shumë se një orë, pritet të mbyllet sot, pas kontakteve telefonike të Papandreut dhe Samaras, mbi përbërjen e qeverisë së re, e cila pritet të marrë që nesër fatin e vendit në duar. 

Detyrat e menjëhershme të qeverisë së re janë miratimi i marrëveshjes së kredisë, sigurimi i lëvrimit të këstit të gjashtë të kredisë, në shumën 8 000 000 000 € si dhe miratimi i buxhetit të vitit 2012 deri në fund të nëntorit.

Marrëveshja ishte rezultat i presionit të madh nga Evropa, e cila kërkon miratimin e marrëveshjes së kredisë së 26 tetorit dhe më pas zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas planit, zgjedhjet e parakohshme ndoshta do të zhvillohen më 19 shkurt.

Ndërkaq zëvëndëskryeministri Evangelos Venizelos do të përfaqësojë Greqinë sot në mbledhjen e Eurogrupit me qëllim lirimin e menjëhershëm të këstit të gjashtë të kredisë. Lidhje te tjera Greqi, Papulias-Papandreu-Samaras, dakord për qeveri të re

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›