Greqi, çmime të lira për të shpëtuar nga kriza
Në Greqi po ndjehen çmimet e lira masive nëpër dyqane gjatë festave të Vitit të Ri, ndërsa kjo është pjesë e shpëtimit nga kriza ekonomike.
“Tregtarët në Greqi vazhdojnë të kërkojnë shpëtimin nga kriza ekonomike, meqënese tani po vazhdon ulja e çmimeve të produkteve dhe mallrave të ndryshme nëpër dyqane, pa pritur uljet masive që zyrtarisht fillojnë rreth 15 janarit”, shkruan gazeta greke “Ta Nea”.
Sipas saj, humbjet e tregtarëve gjatë vitit 2010 kanë qenë tejmase të mëdha, ndërsa viti 2011 fillon me uljen e çmimeve nga 25 deri në 30 për qind. Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2010, ulja e çmimeve ka qenë në shifra shumë të ulta.
Pritet që rrjetet e marketeve dhe dyqaneve nëpër Greqi të ulin çmimet deri në 50 për qind. Ky vit vlerësohet të jetë shumë i rëndë për bizneset në Greqi, ku pritet qe në tre muajt e parë të vitit 2011 të mbyllen së paku 7 mijë ndërmarrje në tërë vendin, derisa 15 mijë veta të ngelin pa punë.
Përfaqësuesit e shoqatave tregtare shfaqën shqetësimet e tyre dhe kërkojnë që Qeveria të ndërmarrë masa emergjente për zbutjen dhe tejkalimin e situatës.
Mirëpo, përkundër këtyre uljeve që janë me humbje, në Greqi nga fillimi i këtij viti ka nisur rritja e çmimeve, pas rritjes së Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) nga 11 në 13 për qind.