Lushnje, djegin makinat dhe grabisin 150 milionë lekë

Një grabitje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Çermë e Sipërme të rrethit të Lushnjës. Burime nga policia bëjnë me dije se persona ende të paidentifikuar kanë arritur të vjedhin 15 milionë lekë të reja në një banesë në këtë fshat.
Fillimisht autorët kanë djegur makinat që ishin parkuar para shtëpisë dhe më pas kanë hyrë brenda në banesë.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21.00. Autorët e grabitjes i kanë vënë zjarrin dy automjeteve, tip “Ford” me targa LU 02-73 C dhe mjetit tip “Opel”, pa targa. Të dy makinat ishin në pronësi të shtetasit Bashkim M.
Sipas policisë pas djegies së makinave, këta persona, duke përfituar nga largimi i familjarëve nga banesa e tyre në drejtim të automjeteve për shuarjen e zjarrit, janë futur në banesën dykatëshe dhe kanë marrë prej aty një kasafortë.
Në kasafortë sipas deklarimit të kryefamiljarit ndodheshin 15 milion lekë të reja. Policia tha se rreth 500 m nga banesa u gjet e braktisur kasaforta artizanale prej llamarine e hapur me mjete te forta.
Ndërkohë nga shërbimet e policisë po punohet intesivisht për identifikimin e kapjen e autorëve si dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje.
Ndërkohë materialet proceduriale do t`i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për vepren penale "Vjedhje" dhe "Shkatërrim i pronës me zjarr".