E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, dëmshpërblimi për luftën, Berlini: Çështja s'ekziston më

BERLIN - Berlini bën të qartë qëndrimin e tij, se “nuk ekziston tashmë cështja” e dëmshpërblimeve gjermane ndaj Greqisë. 

Deklarata 

Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi shënon në deklaratën e saj se “Gjermania pranon përgjegjësinë e saj për Luftën e Dytë Botërore dhe shpreh keqardhjen e thellë për vuajtjet e viktimave”, duke shtuar se Gjermania ka paguar tashmë dëmshpërblimet në kuadrin e Marrëveshjes së 1946-s dhe mbështeti në mënyrë aktive edhe rindërtimin e Greqisë. 

Konkretisht në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë thuhet: “Gjermania pranon përgjegjësinë e saj për Luftën e Dytë Botërore dhe shpreh keqardhjen e thellë për vuajtjet e viktimave. Kjo vlen edhe për pushtimin gjerman të Greqisë”. 

“65 vjet pas Luftës dhe pas dekadave të bashkëpunimit paqësor, plot besim, të Gjermanisë me Greqinë dhe marrëdhënieve tona të ngushta me NATO-n dhe BE-në, çështja e dëmshpërblimeve, nga ana e Qeverisë Federale, nuk ekziston më”, përfundon deklarata. 

Reagime 

Manolis Glezos, gazetari dhe politikan i së Majtës, heroi i Rezistencës Kombëtare karakterizon si “historikisht të pabazë dhe të rreme” deklaratën e ministrisë së Jashtme gjermane për dëmshpërblimet gjermane. 

“Historikisht të pabazuar, pasi injoron vendimin e Komisionit Aleat, prej 19 anëtarësh, të Parisit të 1946-s, sipas të cilit Gjermania duhet t’i paguajë Greqisë 7 miliardë dollarë amerikanë, fuqia blerëse e 1938-s, dmth 108 miliardë euro pa interesin bankar. Gjithashtu injoron kredinë e detyruar prej 3,5 miliardë dollarë amerikanë, fuqia blerëse e 1938-s, pra 54 miliard euro sot. Krimet ndaj njerëzimit nuk shuhen” thekson z.Glezos. 

Ndërkaq beteja gjyqësore mes Greqisë dhe Gjermanisë për dhënien e dëmshpërblimve morale për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, mori një përgjigje edhe nga Gjykata e Hagës, e cila muajin shkurt pas 7 vjetësh proces, nuk njohu vendimin e gjykatës greke që i jepte të drejtën familjarëve të viktimave të marrin dëmshpërblim nga Gjermania për maskarën e Distomos, pasi sipas gjykatës ndërkombëtare, homologia greke dhe ajo italiane s’ka kompetenca të marrë vendime të tilla. 

Mediat greke raportojnë se në rast se diçka e tillë s’do të hidhej poshtë pretendimet monetare që do të buronin nga kjo do të mund të mbulonin edhe një pjesë të borxhit grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›