E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, do fillojnë kërkime për zona të reja me naftë dhe gaz

ATHINE - Një Memorandum bashkëpunimi midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit në sektorin e energjisë (energji elektrike dhe gaz natyror) do të nënshkruhet në fund të muajit mars, njoftoi Ministri i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit Klimatik, Jorgos Papakostandinu. 

Në një konferencë për shtyp me zv/ministrin Jianis Maniatis, u njoftua gjithashtu se në muajin korrik 2012 do të shpallen konkurse të reja për kërkime në 10-12 zona të Greqisë kontinentale, ndër të tjera në Evros, Kavala, Serres, Selanik, Grevena, Lefkadha, Mesinia, Ahaia e ndoshta dhe në Kretë. 

Ministri Papakostandinu tha se situata që krijohet në rajonin Qipro-Izrael u diskutuan edhe në Këshillin e fundit të Ministrave të Energjisë të BE-së, sepse krijohet perspektiva e një poli të tretë furnizimi i Evropës me gaz natyror, pavarësisht nga Rusia dhe rajoni i Kaspikut. 

Ministri karakterizoi "përtej çdo parashikimi" reagimin e kompanive që morrën pjesë në tenderin për kërkimet sizmike në detin Jon dhe në zonën detare në jug të Kretës, ku brenda afatit të dorëzimit të ofertave, u dorëzuan në total 8 oferta. 

Vlerësimi dhe negociatat me kompanitë pritet të përfundojë muajin e ardhshëm, me qëllim që deri në prill 2012 të nënshkruhen kontratat, deri në fund të vitit 2012 të jenë vlerësuar të dhënat sizmike dhe në fillim të vitit 2013 të bëhen njoftimet për fillimin e kërkimeve me shpime në 15 zona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›