E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, farmacistët në grevë tre ditore

ATHINE-Në Greqi farmacistët fillojnë të mërkurën një grevë triditore, për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë për liberalizimin e licensimeve në këtë sektor.
Pas negociatave 'të pasuksesshme' me ministrinë e shëndetësisë, farmacistët kanë thënë se nuk do të tërhiqen dhe se do të ankohen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Në vazhdën e thellimit të reformave që synojnë kapërcimin e krizës ekonomiko-financiare qeveria greke do të avancojë në liberalizimin e licensimeve për një sërë profesionesh të tjera, si ato të farmacistit, avokatit, noterit, e inxhinierit.

Të gjithë këta sektorë kanë reaguar me ashpërsi ndaj vendimit të qeverisë për ta paraqitur projektligjin përkatës në parlament javën e ardhshme. Por, më të fuqishme janë reagimet e farmacistëve, të cilët vendosën të hënën në mbrëmje që të kalojnë në grevë për tri ditë, duke filluar nga e mërkura.

Ata kanë sqaruar se gjatë grevës do të funksionojnë farmaci urgjence që, megjithatë, vlerësohet se kjo nuk do ta shmangë konfuzionin dhe sorollatjet e qytetarëve, në kohën që në Greqi regjistrohet një shpërthim virozash, ndërsa u njoftua edhe viktima e parë e gripit të derrit.

Farmacistët kanë theksuar që nëse qeveria nuk tregon shenja tërheqjeje, greva do të përsëritet për tri ditë të tjera edhe javën e ardhshme, ndërkohë që shoqata e farmacistëve paralajmëroi se pas votimit të projektligjit do të ankohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Farmacistët njoftuan, gjithashtu, vendimin e tyre që klientët të paguajnë me para në dorë gjithë vlerën e barnave e më pas të shkojnë në entet e sigurimeve shoqërore, për të marë vlerën e disbursimit.

Ndërsa deri më tani ndodhte e kundërta: ata paguanin një shumë të vogël në farmaci dhe pjesën tjetër farmacitë e merrnin nga institutet e sigurimeve.

Ky vendim i farmacistëve, që argumentohet me borxhet e mëdha që u kanë entet siguruese, pritet të ketë një impakt të rëndë, sidomos për mijëra pensionistë, por edhe qytetarë të tjerë me të ardhura modeste.

Profesioni i farmacistit në Greqi përbën aktualisht një monopol familjar që trashëgohet nga prindi te fëmija, ndërkohë që tri ditë në javë shumica dërrmuese e farmacive funksionojnë vetëm paradite dhe qëndrojnë mbyllur të shtunën e të dielën, ku një numër i vogël farmacish roje u shërbejnë bashkive të tëra të Athinës gjashtëmilionë banorëshe në distancë të madhe njëra nga tjetra.

Projektligji parashikon korrigjimin e këtyre dobësive, të cilat qeveria i konsideron si paradoksale e të papranueshme.
Liberalizimi i licencave është dhe një detyrim i Greqisë që buron në memorandumin e nënshkruar me FMN-në dhe Komisionin Europian si kusht për dhënien e kredisë prej 110 miliardë eurosh.

Respektimin e këtij detyrimi e theksoi edhe Komisionieri Mishel Barnie, që tha se do të kthehet përsëri në Athinë për të testuar zbatimin e kësaj mase.

(d.b/BBC/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Greqi, farmacistët në grevë tre ditore

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›