E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, gjenden ikona të grabitura në kishat shqiptare

Autoritetet greke në bashkëpunim me Interpolin kanë gjetur një ikonë të grabitur në një kishë në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për ikonën e Shën Mërisë e cila i përkiste kishës së Pogonit të Gjirokastrës. Kjo ikonë u grabit dhjetë vjet më parë dhe dyshohej se u trafikua drejt Greqisë. Ikona konsiderohej si një nga ikonat mrekullibërëse duke e bërë këtë kishë nga më të frekuentuarat nga besimtarët. Shtypi grek që u referohet burimeve zyrtare të prefekturës së Janinës flet se ikona është lokalizuar në Londër dhe po bëhen perpjekje për ta rikthyer.
I mbetet autoritetit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Ministrisë shqiptare të Kulturës që të bëjnë më pas pëprjekje për ta sjellë ikonën me vlera të rralla në Shqipëri. Gazeta “Fjala e Mëngjesit” që del në Janinë shkruan se edhe disa objekte të tjera janë identifikuar në vende të ndryshme si në Amsterdam të Hollandës.
Gjatë viteve të fundit në disa kisha disa qindra vjeçare në Shqipëri janë grabitur objekte fetare me vlera të rralla si pjesë ikonostasesh , ikona të vjetra dhe objekte fetare. Shumë prej tyre kanë qenë të përfshira në regjistrin e pasurive kulturore.
Autoritet shqiptare kanë arritur viteve të fundit të rikthejnë nga Greqia dhe Italia objekte arkeologjike por pa mundur të identifikojnë një seri vlerash të tjera të grabitura në muzeumet shqiptare kryesisht gjatë viteve të tranzicionit dhe trazirave të dhunshme të vitit 1997.

Autoritet greke janë përfshirë në një bashkëpunim intensiv me strukturën ndërkombëtare policore të Interpolit pas shtimit të rasteve të grabitjeve të objekteve me vlerë historike, kulturore dhe fetare në objektet e kultit.
Në bashkëpunimin e Interpolit janë përfshirë edhe disa objekte me vlera të rralla të grabitura në disa kisha, kryesisht në jug të Shqipërisë, të cilat kanë përfunduar në Greqi dhe më pas drejt vendeve të tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›