Greqi, gjendje kaotike në Athinë

Pak para fillimit të votimit historik të paketës së kontestuar të kursimeve në parlamentin grek, sipas së cilës Greqia duhet të kursejë 78 miliardë euro deri në vitin 2015, në Athinë regjistrohen protesta masive dhe trazira. Policia ka përdorur gazin lotsjellës kundër qindra mijëra demonstruesve të majtë të mbledhur në sheshin qendror "Syntagma". Opozita konservatore ka paralajmëruar refuzimin e këtij kursi kursimesh, sepse sipas saj, ai rrënon zhvillimin e ekonomisë. Policia e ka shndërruar në kështjellë, hapësirën përreth parlamentit, i cili voton planin afatmesëm. Përleshjet nuk kanë të ndalur në Athinë ndërmjet policisë dhe protestuesve të cilët ishin duke shkuar në drejtim të parlamentit ku pritet votimi i shkurtimeve të reja buxhetore. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se ligji i ri që do sigurojë 28 miliardë euro nga shkurtimet e reja buxhetore duhet patjetër të miratohet që të zhbllokojnë kistin e radhës të kredisë 110 miliardëshe për Greqinë. Dhjetëra anarkistë janë perleshur me forcat policore,të cilat kanë përdorur një numër tepër të madh bombash me gaz lotsjellës. Pas konfrontimeve dhe vandalizmave 46 persona u plagosën, midis tyre 37 policë, ndërsa janë kryer 14 arrestime. Kryeministri Papandreu u ka bërë thirrje gjithe deputetëve se nga vota e tyre sot, varet e ardhmja e kombit grek. Edhe udhëheqesit e BE-së i kanë bërë të qartë Greqisë se nuk aprovohoen masat që përmban plani afatmesëm vendi nuk mund t`i shmanget falimentimit te sigurte. Presidenti i BE-se, Herman Van Rompoi ka deklaruar se ndikimi i votës së deputetëve grekë do të ndihet më pas në mbarë botën.
Shefja e sapoemëruar e FMN Kristin Lagarde u ka bërë thirrje politikanëve grekë që të gjejnë një konsensus në këto momente të vështira për të shpëtuar vendin nga falimentimi.
Nëse parlamenti aprovon masat financiare Greqia do të marrë të dielën këstin e saj të pestë të ndihmës prej 12 miliard eurosh.