E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dinjiteti” dhe “Liria” drejt Gazës

Mbetet ende e paqartë lundrimi i anijeve të tjera që janë ankoruar në portin e Pireut në Greqi, veprimtarët e të cilave bëjnë me dije se mosnisja e tyre është akt i mirëfilltë sabotazhi, i kryer me porosi të Izraelit, raporton për të përditshmen izraelite korrespondentja Amira Hass.
 
Anija franceze “Dignity” dhe ajo irlandeze “Freedom” nuk synojnë ende të ankorohen në portin e Gazës përpara se të bashkohen në pikë-takimin e paracaktuar në ujërat ndërkombëtare për t’u bashkuar me mjetet lundruese që gjenden ende në portin grek. Mëngjesin e ditës së hënë, elika e mjetit lundrues greko-irlandez “Juliano” u gjet e thyer, ndërkohë që veprimtarët e organizimit të lundrimit janë të mendimit se bëhet fjalë për një veprim të mirëfilltë sabotimi të kryer nga Izraeli. Deri në këto çaste nuk dihet ende edhe sa kohe do të kërkojë riparimi i dëmit.

Për më tepër, dy inspektorë të lartë të autoritetit portual grek u paraqitën ditën e martë me autorizim për  të inspektuar mjetin lundrues kanadez, “Tahrir”, në portin e Pireut, edhe pse ky  mjet kishte kaluar më parë në sitën e kontrollit të “Zyrës Ndërkombëtare të Kontrollit Detar”.

Inspektimi i fundit kishte marrë udhë pasi kishte pasur një ankesë nga një qytetar i zakonshëm drejtuar “Autoritetit Portual”. Ankesa i mëshonte idesë së anija kanadeze ishte “e papërshtatshme për të lundruar”.Sipas ligjvënësve dhe specialistëve detarë grekë, është tmerrësisht e rrallë të ndodhë që një qytetar i zakonshëm të hartojë një ankesë ndaj një mjeti lundrimi privat.
 
Kur u pyet nga “Haaretz”-i se përse vallë ata nuk u ishin përgjigjur pretendimeve të palës izraelite se në bordin e mjeteve lundruese kishte veprimtarë që ishin përgatitur të vrisnin ushtarë izraelitë, David Heap, anëtar i Komitetit Organizativ të veprimtarëve që do të lundrojnë për në Gaza u përgjigj se “ishin shumë të përqendruar në punën e tyre për të gatitur nisjen, çka kishte më shumë rëndësi se sa dhënia e një përgjigjeje ndaj një vendi ‘që njihet për mbjelljen e akuzave të gënjeshtërta ndaj nesh”. Ai bëri me dije se të gjithë veprimtarët e flotiljes kishin nënshkruar paraprakisht një dokument ku angazhoheshin për mos-kryerjen e asnjë veprimi që lidhej me dhunën.  /Start/ Z.Gjurgji/

                                                                                             2011-06-29 10:39
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›