Greqi, kapet 60 kg hashash në një maune që vinte nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar 60 kg hashash ndërsa ka arrestuar edhe poseduesin e drogës, një shtetas shqiptar.
Sipas informacioneve droga është kapur në një maune që vinte nga Shqipëria në kilometrin e 12 të aksit Follorinë Selanik ndërsa është arrestuar drejtuesi i maunes, një 41-vjeçar shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Sipas policisë greke, droga ishte fshehur në pjesë të ndryshme të maunes ndërsa një pjesë e saj ishte fshehur në një furgon tjetër. Kështu policia greke ka arritur të gjejë 12 pako me drogë me përkatësisht 12.33 kg në kabinën e maunes, 39 pako me 41.36 kg në karroceri dhe 7 pako në furgonin që ishte parkuar pranë maunes me 7.19 kg.
Dyshohet se maunia me drogë kishte kaluar përmes pikës doganore të Kapshticës ndërs drejtuesit të mjetit gjatë arrestimit i janë gjetur edhe 2500 euro. Ndërkohë policia greke po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.